Kombëtare

Haradinaj në Prishtinë: Kandidatët tjerë nuk janë të zotë as me i largu qentë endacakë

AAK e ka nisur fushatën zgjedhore në kryeqytetin e Kosovës, mirëpo jo në mënyrën tradicionale.

Ramush Haradinaj ka theksuar se kanë zgjedhur një mënyrë alternative për të komunikuar me qytetarët për t’u treguar programin e AAK-së dhe njerëzit që ofrohen për ta.

”Jemi betuar që do të jemi me qytetarët, prandaj kuptohet që vetvetiu vjen Prishtina e para. Partia që ka pas më së paku e më së shkurti përgjegjësi për vendin në momentin e parë të mundësisë së vet e ka fuqizuar Ligjin për Kryeqytetin. Ajo parti është partia juaj. Sot koncepti juaj politik është ballëhapur, sepse shkon te qytetari i kryeqytetit në emër të Ligjit për Kryeqytetin”.

Haradinaj ka lavdëruar kandidatin e partisë së tij për kryeqytetin, derisa ka thumbuar kundërkandidatët e Daut Haradinajt.

“Nga 17 tetori me besimin e qytetarëve të Prishtinës bëhet realitet Ligji për Kryeqytetin. Kandidatët tjerë për kryetar në Prishtinë nuk janë të zotë as me i largu qentë endacakë që po rrezikojnë qytetarët përditë e që ka shumë gjithandej”.