SHËNDETËSIA

Haradinaj: Me Spitalin Regjional, po vendoset një e drejtë për Ferizajn

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Spitalit Regjional në Ferizaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke e vlerësuar si një festë tha se kësaj ngjarje i gëzohen jo vetëm banorët e kësaj treve, por gjithë qytetarët e Kosovës kudo që janë. “Po vendoset një e drejtë, një qendër e kaq e madhe siç është Ferizaj, një regjion i madh sa është Ferizaj, nuk ka spital, qendër spitalore dhe më vjen mirë që më në fund Kosova po e vendos këtë të drejtë në vend të vet”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke folur rreth investimit dhe rëndësisë së projektit, kryeministri Haradinaj tha se ky është një projekt shumë i madh edhe financiar mbi 10 milionë euro dhe një ndryshim i madh në të gjitha ato procese të brendshme të jetës në Ferizaj.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ofroi mbështetjen e Qeverisë për komunën e Ferizajt, duke thënë se janë identifikuar disa projekte të cilat do të zhvillohen bazuar në kapacitetet.

“Ju e keni një projekt që është bashkimi i qytetit, që është nënkalimi hekurudhor që ju ndihmon dhe lehtëson jetën në funksionim, njëkohësisht do ta keni komunën tuaj më të pasur me prona, si rasti i sotëm sot ndahet kjo parcelë për spital, por komuna nuk ka tokë dhe shumë shpejt edhe komuna e Ferizajt do të mbetet pa tokë për varreza. Ne, si Qeveri do t’i gjejmë të gjitha hapësirat ligjore ashtu siç jemi në bashkëpunim që t’i alokojmë tokë, parcela, prona komunës që t’i ketë në shfrytëzim, qoftë për projekte si ky, qoftë për projekte të tjera”, tha kryeministri Haradinaj

Në këtë ceremoni, Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se do të shqyrtohet dhe do të ofrohet mbështetje edhe për projekte të tjera për komunën e Ferizajt, duke përmendur zonën ekonomike disa hektarësh, për të cilën tha se do të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe duke i siguruar që kujdesi ndaj kësaj komune dhe ndaj kësaj treve do të jetë i madh edhe në të ardhmen.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se sot janë faqebardhë si Qeveri e Republikës së Kosovës, pasi që po vendoset gurthemeli i një spitali modern, që do të ketë pajisje moderne, e që do të jetë në funksion të qytetarëve të komunës së Ferizajt

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se sot po vendoset gurthemeli i një institucioni të munguar në një ditë që do të mbetet përjetësisht në historinë e Ferizajt, sepse është një ndër objektet infrastrukturore të rëndësisë së veçantë dhe që ka munguar në regjionin e Ferizajt.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.