Kosova

Haradinaj: Me heqjen e taksës, Kurti ia humbi Kosovës kapitalin politik për njohje nga Serbia

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se heqja e taksës 100% nga qeveria në detyrë e Kosovës për Presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe për atë të Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, “është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë”.

“Vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendos taksën 100% në pikën 1, dhe po ashtu vendos masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6 – të cilat sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si ‘shpikje politike’ e tij. Në fakt, vendimi i sotëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë”, ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.

“Harresa e tij kombëtare dhe shkurtpamësia e tij shtetërore ia përcaktoi edhe jetëgjatësinë e tij politike. Do ta mbajmë në mend përherë si kryeministër që ia çeli derën Serbisë së udhëhequr nga ish-ministri i Millosheviqit, pa nder, dhe pa kundërvlerë”, theksoi ai në fund.