Kosova

Haradinaj konfirmon koalicionin parazgjedhor me PSD-në e Ahmetit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, ka konfirmuar se është dakorduar me shumicë votash që të shkohet në koalicion parazgjedhor me PSD-në e Shpend Ahmetit.

“Është votuar në shumicë votash dhe me dy abstenime marrëveshja për koalicion parazgjedhor me PSD-në. Kjo marrëveshje i ka pikat programore, i ka të gjithë çështjet tjera përgatitore për me shku te suksesshëm në zgjedhje”, tha Haradinaj.

Për takimin e mundshëm me Isa Mustafën, Haradinaj tha se “tash jam i zënë, po e shihni edhe ju, jam në detyra me punë plot nuk kam gjë kundër me taku çdo kënd por duhet me i kry punët”.

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit drejtues të PSD-së në të cilën pritej të vendosej lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor me AAK-në.

Pas kësaj mbledhjeje, anëtarë të PSD-së nuk janë deklaruar për media, megjithatë KosovaPress merr vesh se është vendosur që të shkohet në koalicion parazgjedhor me AAK-në.

Madje, këtë marrëveshje pritet që ta zyrtarizojnë sot në orën 15:00 përmes një konference të përbashkët për media dy liderët e partive respektive, Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti.