Haradinaj kërkon mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij ka qëndrimin për të ngritur një mocion mosbesimi kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj në një konferencë për media të mërkurën ka vlerësuar që mocioni është i nevojshëm për shkak të dy arsyeve kryesore.

Së pari, ai ka akuzuar Kurtin për rrezikimin e sovranitetit dhe sigurisë në veri të vendit. Së dyti, ai ka pretenduar se Kurti po prish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke u referuar ndërmarrjes së sanksioneve të ShBA-së kundër Kosovës.

Ai ka thënë se do të fillojë konsultime me spektrin politik në përgjithësi për të siguruar mbështetjen e nevojshme për mocionin mosbesimi.

Gjithashtu ai ka thënë se do të angazhohet për të sqaruar para qytetarëve se Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë dhe sovranitetit të vendit, duke e akuzuar atë për mosbashkëpunim me ShBA-në dhe për nxitjen e një konflikti në veri që favorizon Rusinë.

“Do të angazhohemi që ta sqarojmë para qytetarëve se Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë së vendit dhe sovranitetin në veri. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me SHBA-në në planin e tyre të integrimit, ka vazhduar me plan të vetin për të nxitur konflikt, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën, duke vazhduar ta nxisë një konflikt në veri që është në interes të Putinit dhe Rusisë”, ka deklaruar ai.

Kryetari i AAK-së gjithashtu ka kritikuar Kurtin për deklaratën “fyes” me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, duke e cilësuar atë si “pafytyrësi”.

Ai ka thënë se Kurti ka shkuar në ekstrem me këtë lloj komunikimi dhe se gjendja në veri është e keqe për shkak të mosbashkëpunimit me aleatin kryesor të sigurisë së Kosovës, SHBA-në.

“Ajo që po ashtu e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave Blinkenit me atë fjalor. Kurti ka shkuar në ekstrem me një komunikim fyes për aleati tonë kryesor të sigurisë, pa të cilin edhe sot gjendja në veri është e keqe”, ka thënë ai.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

Go to TOP