Kosova

Haradinaj: Kemi rritje në zgjedhjet e 14 shkurtit

Kandidati për president i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit do të kenë rritje si parti dhe se ky subjekt politik e ka ruajtur edhe votën e qytëtarëve.

Haradinaj në një intervistë në Kohavision tha se janë parti e parë në shumë komuna dhe në disa tjera kanë edhe rritje.

“Ne kemi ruajtje të votës, qëndrueshmëri në votë dhe rritje. Ne kemi pas 96 mijë vota në zgjedhjet e 2019 dhe e dimë që do të kemi më shumë kësaj here. E dimë se është një situatë jo e lehtë në popull, te qytetarët, kemi bërë  kujdes gjatë fushatës pra kemi respektuar dëshirën e qytetarëve edhe për t’i shtyrë proceset përpara edhe në ofertën tonë kemi dal në njëfarë mënyrë në një qasje reale”, është shprehur kreu i AAK-së, Haradinaj.

Ndër tjera, Haradinaj tha se kësaj radhe nuk ka kërkuar udhëheqjen e vendit por pozitën si president për të siguruar edhe ekuilibrin e pushteteve, unitetin e brendshëm por edhe në planin e jashtëm si edhe përballjen me Serbinë.