Kosova

Haradinaj: Italia partner i Kosovës në rrugën e saj euroatlantike

Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të mbeten në nivel të shkëlqyer. Italia është afër Kosovës edhe si ndjenjë edhe si gjeografi. Ky ishte konstatimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes që i bëri sot ministres së Mbrojtjes të Italisë, Roberta Pinotti.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ministren Pinotti, për kontributin e Italisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit, me theks në periudhën e pasluftës, duke kërkuar prezencën e tyre edhe më tutje përmes investimeve, pasi që Kosova ofron ambient të përshtatshëm për investimet e huaja.

Kryeministri Haradinaj tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona, Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të vazhdojnë të thellohen në të gjithë fushat e interesit të përbashkët, duke theksuar se edhe vizita e ministres Pinotti, e dëshmon këtë.

“I gëzohemi investitorëve italian dhe duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik, krahas miqësisë dhe bashkëpunimit politik me këtë vend. Italia e ka një aleat, Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit u bisedua edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe në këtë proces, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Italisë, pasi që kjo do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe të stabilitetit rajonal.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, vlerësoi angazhimin e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se Italia do të jetë përkrahëse e proceseve në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës.

“Italia ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe një nga misionet më të rëndësishme. Ky partneritet do të vazhdojë”, tha ministrja e Mbrojtjes së Italisë.

Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ambasadori italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci. /Kosova.info/