Kosova

Haradinaj ia kishte ndarë Mustafës mbi 24 mijë euro në emër të pagës retroaktive

Dy vjet pas miratimit të vendimit për rritjen e pagave, qeveria e cila udhëhiqej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj i kishte çuar në konton e paraardhësit të tij, Isa Mustafa mbi 24 mijë euro. Kjo është realizuar në emër të pagesës retroaktive të rritjes së pagave që qeveria Haradinaj ia bëri vetes më 20 dhjetor 2017.

Në formularin e të dhënave për listën e pagave që ka siguruar KOHA, saktësisht Mustafës i realizohet retroaktiv në vlerë prej 24 mijë e 258 euro bruto për periudhën dhjetor 2017 deri në tetor 2019, pas kërkesës së bërë nga kabineti i tij. Data e fillimit të punës së Mustafës si ish kryeministër është 12 shtator 2017. Në arsyetimin e sekretarit për ndarjen e këtyre mjeteve përmendet opinioni i zyrës Ligjore për ndryshimin e pagesës në 70 për qind e pagës sipas vendimit të Qeverisë të datës 20 dhjetor 2017.

Në periudhën kur qeveria në dorëheqje kishte deponuar mjetet në xhirollogarinë e Mustafës, ky i fundit po zhvillonte negociatat për koalicion me Vetëvendosjen. Pas tre muajve u nënshkrua marrëveshje VV-LDK, por pati jetëgjatësi vetëm 51 ditë. LDK-ja inicioi mocionin e mosbesimit duke e shkarkuar qeverinë Kurti me vota në Kuvend, duke hyrë në partneritet qeverisës me AAK-n, Nismën e minoritetet.

Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, ish-kryeministri Haradinaj kishte vendosur t’ia rrisë vetes pagën 100 për qind. Nga 1 mijë e 500 euro, e kishte ngritur në 2 mijë e 950 euro. Pagat ua kishte shumëfishuar edhe vartësve të tij- zëvendëskryeministrit 2 mijë e 500 euro; nga 2 mijë euro ministrave kurse këshilltarëve 1 mijë e 400 euro.

Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte interpretuar konflikt interesi vendimin e qeverisë Haradinaj për t’ia rritur pagat vetes. Vendimi ishte kontestuar edhe në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por ky institucion nuk kishte gjetur shkelje në vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave.

Megjithatë pas zgjedhjes në krye të ekzekutivit ish Kryeministri Albin Kurti e kishte shfuqizuar vendimin e Haradinajt, duke i kthyer pagat në rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

Image
Image

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//dopansearor.com/4/3473483