Kombëtare

Haradinaj: Duhet të turpërohen ata që kanë thënë se ka veteranë të rrejshëm në Deçan

I pari i AAK-së Ramush Haradinaj ka takuar sot qytetarët në Deçan. Ai ka folur edhe për akuzat se “ka veteranë të rrejshëm në Deçan”.

Ai thotë se duhet të turpërohen ata që kanë fyer veteranët.

“Marre i koftë kujtdo që ka fyer se ka veteranë të rrejshëm në Deçan. Ku kanë qenë ata që po thonë veteranë të rrejshëm, a kanë qenë këtu në 1998-1999 me e pa qysh ka qenë ky vend. Ky vend është djegur në maj të vitit 1998, nuk ka pas njeri të gjallë këtej me ra. Kur ka ardhë Holbrook me shku në Junik, e ka gjete të shkrumbuar. Po krejt, i madh e i vogël, kush ka qenë i pushkës është detyruar të rrijë me familjet e veta. Ky është Deçani”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Mos të harrojmë diçka, me Serbinë jemi nda me luftë. Askush nuk e di më mirë se ne qysh mundemi me u marr vesh me Serbinë. Serbia, sa të beson që ne i japim diçka, nuk ka me u marr vesh me ne. Veç kur e din që s’merr kurrgjë prej neve, veç atëherë ka me u marr vesh me ne”, ka thënë ai.

Para qytetarëve të Deçanit, ka folur edhe kandidatja për deputete nga kjo komunë dhe zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, derisa ka thënë se fitorja e koalicionit AAK-PSD është garancë për Kosovën shtet 100%.

“100% guxim, 100% dije dhe 100% angazhim – kjo është ajo që i nevojitet vendit tonë dhe ajo që aleanca jonë është e gatshme të japë. Ky është premtimi ynë dhe kjo është detyra jonë. Më 6 tetor do të vendosni, në cilin drejtim shkon Kosova”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka qenë e ashpër edhe ndaj partive te tjera.

Kuçi ka shtuar tutje se Kosova nuk mund të vazhdojë me qeverisje të PDK-së, e cila është fajtore për gjendjen në vend. Për LDK-në ajo shtoi se ka fytyrë të re aktualisht, por tha se pas timonit të saj qëndrojnë fytyrat e vjetra të kësaj partie. Kurse, për VV-në, Kuçi tha se Kosova nuk ka komoditet të eksperimentojë me të ardhmen.