Kosova

Haradinaj: Askush nuk brengoset për platformën, halli është te emrat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot mbajti konferencën pas takimit të Këshillit Ministror. Në këtë konferencë Haradinaj tha se kundërshtimi i platformës nuk u bë sa i përket përmbajtjes, mirëpo u bë për arsyen e emrave të cilët do të jenë pjesë e delegacionit për dialogun final me Serbinë.

Ai theksoi se të gjithë  hallin e kanë se kush do të jetë pjesë e dialogut, askush nuk brengoset sa i përket përmbajtjes.

“Ata që e kanë kritikuar platformën nuk e kanë pasur hallin te përmbajtja. Bindja ime është që duhet me qenë një ekip politik ku janë presidenti, kryeparlamentari”, tha Haradinaj.

Kurse Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në këtë konferencë tha se mban shpresa që deri në fund të shtatorit do të përfundohet implementimi i agjendës.

“Kërkoj nga institucionet që të plotësojnë obligimet e dala nga Agjenda Evropiane, raporton EO. Është shumë me rëndësi që procesi ERA të vazhdojë dhe të kemi rezultate konkrete. Sot në takim kemi ritheksuar se është me rëndësi që nga ERA të përfundojë implementimi i plotë i agjendës së reformave deri në fund të shtatorit”, shtroi Hoxha.

Ajo gjithashtu bëri të ditur që ekziston racionalizimi i agjencioneve dhe presin që këto të fillojnë në muajin qershor-korrik dhe të përfundojnë në muajin shtator.

“Kemi miratimin e kodit të procedurës penale dhe informatorët do të jenë nesër në mbledhje të Qeverisë. Kemi ligjin për arsimin e lartë dhe presim që të miratohet në qeverinë e Kosovës e më pas të kalojë në Kuvend”, përfundoi Ministrja Hoxha. /Kosova.info/