SPORT

Hansi Flick/ Edhe pse fituam , nuk jemi ende kampion

Trajneri i Bayern Munichut, Hansi Flick, e pranoi se fitorja kundër Borussia Dortmundit në derbin Der Klassiker është një hap i madh drejt titullit të kampionit të Bundesligës, mirëpo insistoi që ende nuk është koha të festohet.

Goli i bukur i Joshua Kimmichit gjatë pjesës së parë të ndeshjes ia siguroi kampionit në fuqi të Gjermanisë një fitore me rezultat 1:0 në derbin Der Klassiker pa tifozë në Signal Iduna Park të marten.

Gjiganti bavarez tani është në krye të tabelës së Bundesligës me shtatë pikë epërsi ndaj Dortmundit, që radhitet në pozitën e dytë. Pasi që deri në fund kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ndeshje, Bayerni po shkon drejt titullit të tetë radhazi të Bundesligës.

Në fakt, që nga fillimi i shekullit të ri, Bayerni i ka fituar 13 tituj. E përderisa edhe Stuttgarti dhe Wolfsburgu kanë arritur ta fitojnë titullin e ligës elitare gjermane që nga viti 2000, Dortmundi ka qenë rivali më i madh i Bayernit, pasi që e ka fituar titullin tre herë në 20 vjetët e fundit.

Flick e pranoi rëndësinë e këtyre tre pikëve, mirëpo insistoi se ende ka punë për të bërë deri në fund të kampionatit.

“Ishte një fitore e rëndësishme, ne e bëmë një hap të madh përpara. A do ta fitoj titullin tim të parë si trajner? Nuk jam lloji i trajner që dëshiron ta lexojë shumë të ardhmen”, ka thënë Flick.

“Thjesht është një ndjenjë e këndshme të jesh shtatë pikë përpara. Para pushimit dimëror ishim katër pikë prapa dhe kemi arritur të luajmë futboll të suksesshëm dhe të bukur këtë vit”.

“Ne të gjithë e dimë se kërkesat bazike për sukses janë që ne t’i qasemi çdo ndeshjeje në të njëjtën mënyrë si i jemi qasur tri të parave pas rinisjes së kampionatit. Kur ta kemi të sigurt, atëherë mund të flasim për titullin, por s’do ta bëj këtë tani”.