Kosova

Hamiti thotë se LDK-ja ka kuadro për të realizuar idenë për qeverisje efikase

Muhamet Hamiti, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se në kohën kur LDK-ja ka qenë në qeveri më parë, njerëzit nëpër poste diplomatike kanë qenë shumë profesionistë.

Ndërkaq ka kritikuar qasjen e MPJ-së dhe të tërë qeverisë Haradinaj për këtë çështje.

“Po të ishte në një vend tjetër, Pacolli në postin e ministrit të Jashtëm nuk do që qëndronte asnjë ditë”, tha ai.

Hamiti tha se nuk e di se kush mund të jetë i emëruar nëpër postet ministrore në dikasteret që do t’i takojnë LDK-së, por tha se rëndësi ka që partia i beson idesë për një qeveri më të vogël e më efikase, dhe duke iu përmbajtur këtyre vlerave, do të kërkojë njerëzit që i realizojnë më së miri këto ide.

Ai tha se nuk beson që është zbehur pozita e Vjosa Osmanit me faktin se LDK-ja doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit. “Vjosa Osmani është protagoniste e rëndësishme, por s’do ishte e këtillë pa qenë pjesë e kësaj partie. Do të ishte më mirë sikur LDK-ja të fitonte, por ja që rezultati është ky që është. Osmani është nënkryetare e LDK-së. Fituesi është relativ në këto zgjedhje. Nëse një parti i ka fituar zgjedhjet, le ta bëjë qeverinë”, deklaroi Hamiti.

Ai tha se është e arsyeshme që marrëveshja për koalicion qeverisëse të marrë kohë.

Hamiti ka folur edhe për situatën e tensionuar mes Iranit e SHBA-së, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani e sulmeve të Iranit ndaj bazës amerikane në Irak.

“Sa kam mundur të përcjell unë, thirrja që e bënë të gjithë, sidomos evropianët për deeskalim të situatës, duket se është dëgjuar. Mënyra si reagoi Irani me ato sulmet, tregon se siç kanë thënë vetë një reagim proporcional, edhe pse propaganda e tyre tha se u vranë 80 vetë. Ndoshta është mirë sepse u qetësuan. Në anën tjetër paraqitja e Trumpit dëshmon edhe urtinë e politikës amerikane, që kërkon deeskalim të situatës, sepse amerikanët kanë 50 mijë trupa në Lindjen e Mesme”, ka thënë ai.

Sipas tij, tashmë roli i SHBA-së është zbehur në terren. Ai ka thënë se administrata e Trumpit s’është e vetmja fajtore për këtë, por edhe për shkak të “mosangazhimit që nga koha e administratës së Obamas”.

“Ka ndodhur zbehja e rolit të Amerikës në terren. Në retrospektivë mund të shihet se intervenimi amerikan në Irak, në afat të mesëm, për të mos thënë i gjatë, i ka shërbyer Iranit. Fakti që parlamenti i Irakut ka shumicë shiite që vendos për përzënien e trupave amerikane tregon që në shumicë të madhe është nën kontroll të Iranit. Irani ka fuqi për kotnroll edhe në Liban e Jemen. Roli amerikan është zbehur, por jo veç për fajin e Trumpit që thuhet, por kam parë këtë mosangazhim që nga koha e Obamas. Në vija të përgjithshme Trumpi ka shkuar rrugës së Obamas. Edhe NATO-ja është në pozitë më të keqe se që ishte para disa vitesh sepse nën drejtimin e Erdoganit, Turqia po rreshtohet në vija të caktuara politike e strategjike me Putinin. Sot po koordinonte punët për Libinë. NATO-ja është më keq se që ka qenë”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.