Kosova

Hamiti: Te “Ferri”, Dante dënon shpirtrat frikacakë: të pavendosurit, neutralët, oportunistët

Profesori i UP’së, Muhamet Hamiti, ka publikuar një pjesë të shkrimit të tij për veprën e Dante Aligierit kur autori i “Komedisë hyjnore” kishe shkruar per frikacakët, neutralët dhe oportunistët.

“Në “Komedinë hyjnore” të Dante Aligierit [te Kënga e III-të e “Ferrit”], poeti i madh romak Virgjili i parashtron Dantes, kur sapo kanë kaluar nëpër portën e ferrit, në hajatin e ferrit, fatin e atij soji njerëzish të paangazhuar, që s’njihen as për cene as për lavd. Moraliteti i kësaj pjese të poemës danteske është i fuqishëm, edhe kur i bëhet një lexim alegorik përtej-kristian. Thjesht si këngë vaji për frikacakët, oportunistët, poltronistët, për ata që rrinë me një këmbë në kapërcyell”, ka shkruar Hamiti.

Postimi i plotë i Muhamet Hamitit:

(Fragmente nga një shkrim imi më i gjatë, botuar para dy-tre vjetësh te revista “Studime” (24) e ASHAK-ut. Shih më poshtë revistën në formatin pdf. Shkrimi im i plotë, me fragmente nga poema e Dante Aligierit e interpretime të tyre, në faqet 175-186.)

Në “Komedinë hyjnore” të Dante Aligierit [te Kënga e III-të e “Ferrit”], poeti i madh romak Virgjili i parashtron Dantes, kur sapo kanë kaluar nëpër portën e ferrit, në hajatin e ferrit, fatin e atij soji njerëzish të paangazhuar, që s’njihen as për cene as për lavd. Moraliteti i kësaj pjese të poemës danteske është i fuqishëm, edhe kur i bëhet një lexim alegorik përtej-kristian. Thjesht si këngë vaji për frikacakët, oportunistët, poltronistët, për ata që rrinë me një këmbë në kapërcyell.

Dy këngët e para të “Ferrit” janë hyrje jo vetëm për këtë këngë por për gjithë “Komedinë Hyjnore”. Në fund të Këngës II, Dante pelegrini mund frikën e vet (‘frikacakërinë’; ’viltà’ në origjinalin italisht; ‘cowardice’ në anglisht) që e kishte sprapsur fillimisht nga ndërmarrja e shtegtimit të pazakontë. Kënga III situohet ndërmjet dy kufijsh, portave të Ferrit dhe brigjeve të lumit Akeron, batakut të plumbtë. Kjo hapësirë e ndërmjetshme, paraferri, hajati i Ferrit, nuk është pjesë e mirëfilltë e Ferrit. Ky hajat infernal i bën vend shërbëtorit dembel të parabolës së talenteve te Bibla (Mateu, 25:14-30), që, duke qenë krejt i pahajr, hidhet “në errësirën e jashtme: atje ai do të qajë dhe do t’i kërcëllasë dhëmbët”. Këtyre të paraferrit, fajtorë që s’kanë vepruar as për mirë as për keq, Minosi nuk u shpall aktgjykimin. Shpirtrat frikacakë u nënshtrohen torturave në trupat e tyre jolëndorë që megjithatë përjetojnë dhembje fizike.

Pelegrini shtanget nga mbishkrimi në portën e paraferrit në fillim të Këngës III: Lasciate ogne speranza, voi ch’intrate (“lini krejt shpresat, ju që hyni”). Në rrafsh ekzistencial, ata i kanë ikur lirisë dhe e kanë privuar veten nga mundësitë. Kështu, bëhen joautentikë ata që kanë refuzuar të ndërtojnë një jetë të mirëfilltë, nuk u ka mbetur gjë për të braktisur, konstaton studiuesi Raymond Angelo Belliotti, teksa veneron se hajatin e Ferrit Dante e ka namatisur për ata që s’kanë “pasion, vendosmëri, apo bindje”.

Turma e të pavendosurve mbetet e paemër, shenjë e jetëve të tyre të paveçuara. Neutralët kanë gjakuar sigurinë personale e jo parimësinë. Bëhen aluzione për engjujt që nuk morën anë kur Luciferi u ngrit kundër Zotit. Aluzion mbase edhe për Pontie Pilatin që lau duart e nuk dha gjykimin e vet për Jezusin, që esencialisht i bie se e tradhtoi Krishtin në tokë.

Pse është i rëndësishëm leximi e rileximi i Dantes, posaçërisht i Këngës III dhe i krejt “Ferrit”, ndoshta Kantika më e përkryer e “Komedisë hyjnore”? Sepse kumton të vërteta universale, jetësore, përtejfetare. Ne shqiptarëve për të na e sjellë vëmendjen te apatia, inercia, indolenca, përtacia, oportunizmi e poltronizmi i klasës intelektuale që bën sehir teksa sheh rrëgjimin e jetës sociale, fijeve autentike shqiptare në Kosovë e Shqipëri. Ky soj njerëzish që në kushte lirie (nga pushtimi i egër, komunizmi) zgjedh maskën e përkorjes karshi padijes e mujshisë autoritare të pushtetit. Vendi i tyre, simbas rendit moral të Dantes, por edhe të Sartre-it, nëse duam një pikë reference jofetare, është në hajat të Ferrit.