SPORT

Halimi i gatshëm të pranojë uljen e pagës

Portieri kosovar Betim Halimi është i gatshëm të pranojë ulje page, nëse klubi e kërkon këtë.

Halimi është pjesë e klubit të elitës ukrainase në futboll Olimpik Donetzk. Futbolli në Ukrainë është pezulluar shkaku i koronavirusit.

“Nga muaji tjetër me shumë gjasë do të kërkohet ulja e pagave. Do ta pranoj pa asnjë problem. Duhet ta kuptojmë situatën e klubit, nuk e kanë të lehtë as pronari i klubit e as sponsorët. Gjitha bizneset janë mbyllur, gjithçka është mbyllur edhe duhet të kuptojmë se shpenzimet janë shumë të mëdha”, ka thënë Halimi për “Sporti Total”.

Portieri 24-vjeçar ka folur edhe për situatën në Ukrainë me koronavirus.

“Jemi të izoluar qe dhjetë ditë. Edhe një muaj do të jemi të izoluar për shkak se është rritur shumë numri i rasteve me koronavirus, e ka kaluar shifrën 300, situata ka filluar të bëhet serioze. Është shumë e vështirë, por personalisht nuk jam keq, sepse jam duke qëndruar në bazë të klubit. Kohën e lirë e kaloj me stërvitje. Dy-tri herë stërvitem, i kam pajisjet e klubit, stadiumin, fitnesin. Por, për lojtarët tjerë, që qëndrojnë në apartamente është shumë problem sepse e kanë të ndaluar të dalin”, ka thënë Halimi. “Për momentin jemi pesë futbollistë të huaj dhe një lojtar është i Ukrainës këtu në seli të klubit. Jemi mirë të gjithë, nuk është testuar asnjë, të gjithë jemi mirë. Nuk na kanë bërë asnjë test. Nuk kemi pasur asnjë problem, për këtë arsye nuk është bërë asnjë test. Ushqimin e kemi te restoranti i klubit, nuk na bie të dalim në qytet. Të gjitha i kemi këtu”.

Ai vlerëson se është e vështirë që të përfundohet kampionati në Ukrainë, ndërsa nuk mendon tash për tash të kthehet në Kosovë. Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Gjasat për t’u vazhduar kampionati janë shumë të vogla. Para dy-tre ditëve presidenti ka dhënë urdhër që të vazhdohet karantina edhe një muaj, deri në fund të muajit tjetër. Gjasat janë shumë të vogla për të startuar kampionati”, ka thënë Halimi. “Për momentin nuk e kam menduar kthimin në Kosovë. Edhe në Kosovë është njëjtë, unë kam nevojë për stërvitje. Nëse kthehem në Kosovë do të kisha problem në këtë aspekt”.