Kosova

Haki Abazi: T’i jepet fund traditës me shumë kryeministra në një qeveri

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka mbrojtur vendimin e Kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

Në një intervistë për Klan Kosova ai theksoi se deklarata e Veliut për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, përbën kundërshtim me linjën e veprimit të qeverisë.

“Është shumë e rëndësishme që të mos hapet panik tek qytetarët me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Çfarë është analizuar në hollësi është se Kosovës nuk i duhet shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe interferim me planin në veprim për koronavirusin”.

“Duhet t’i jepet fund traditës së kaluar që të kemi shumë kryeministra brenda një qeverie. Nuk mund të lejojmë që qëndrimi i kryeministrit të sfidohet nga ministrat brenda qeverisë”.

Para deklarimit të Agim Veliut lidhur me këtë çështje, shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme kishte kërkuar përmes një shkrimi në Facebook edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Abazi u deklarua lidhur me këtë.

“Edhe Isa Mustafa me atë deklarate për Gjendjen e Jashtëzakonshme do të duhej të konsultohej paraprakisht me kryeministrin të mos bëhej. Mirëpo në fund të fundit ai është kryetar i partisë dhe është jashtë qeverisë. Mustafa ka ministrat brenda qeverisë, nëpërmjet të cilëve do të mund të ngriste shqetësimin dhe ta argumentonte e të mos bëhej deklarim i njëanshëm në publik”.

Haki Abazi vlerësoi se situata e krijuar në Kosovë pas pandemisë se koronavirusit po menaxhohet me sukses.