Kosova

Haki Abazi e sheh Mustafën si president, Kurtin si kryeministër – ka një vend edhe për Vjosa Osmanin

Një nga personalitetet e njohura publike i cili i është bashkuar së fundmi Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë një “parashikim” se kush duhet të udhëheqë me tri institucionet kryesore në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se i pari i LDK-së, Isa Mustafa do të jetë president i vendit, ndërsa kreu i ekzekutivit do të jetë Albin Kurti.

Ndërkaq lidhur me kandidaten tanimë të nominuar nga LDK për kryeministre, Vjosa Osmani, Abazi ka thënë se duhet jetë udhëheqëse e Parlamentit të Kosovës. 

Ndryshe, ditë më parë Abazi kishte thënë se koalicioni LDK-Vetëvendosje do të kthente situatën në normalitet.

Abazi, në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, kishte thënë se përfshirja e çdo subjekti tjetër politik në koalicionin LDK-Vetëvendosje do të rëndonte reformat e thella, që duhej të merreshin nga ky koalicion.

“Ky koalicion nuk do ta bënte Kosovën kopsht me lule, por do ta kthente Kosovën në një situatë normale të funksionimit të shtetit dhe ç’kapjen e shtetit nga kapilaret e PDK-së”, kishte thënë Abazi. /Telegrafi/