Hajvalia kampione në Superligën e Kosovës në futboll
Futbollistet e skuadrës EP Hajvalia janë kampione në Sigal Superligën e Kosovës për edicionin garues 2022/23.
Për skuadrën e drejtuar nga Suad Keçi ky është titulli i dytë radhazi.
Deri te kurorëzimi me titullin e kampionit, futbollistet e EP Hajvalisë arritën pas fitores në ndeshjen e javës së 21-të, të fundit për këtë edicion, përballë rivales direkte, Mitrovicës, me rezultat 3:1, e cila u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Para kësaj ndeshjeje të dyja ekipet kishin pikë të barabarta në renditje, derisa dy ndeshjet e tyre të ndërsjella kishin përfunduar pa fitues.
Për dallim nga pak ditë më parë, kur Mitrovica mbizotëroi në finale të Kupës së Kosovës, duke iu gëzuar trofeut, kësaj radhe shumë më mire ndeshjen e menaxhuan futbollistet e EP Hajvalisë, ndonëse pas pjesës së parë ishin në disavantazh.
Në fakt, rezultatin e zhbllokoi Flora Musaj, me golin e minutës së 42-të, duke e çuar Mitrovicën në pushim me epërsinë e një goli.
Megjithatë, në vazhdim lojtaret e EP Hajvalisë luajtën dukshëm më mirë dhe arritën të përmbysin rezultatin me golat e realizuara nga Verona Berisha (58’), Feride Kastrati (64’) dhe Albulena Guri (87’).
Kjo ndeshje u zhvillua me sistemin VAR, duke pasur parasysh rëndësinë e saj.
Në fund medaljet dhe trofeun për ekipin kampion i ndanë Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave dhe Valbona Gashi Uka, menaxhere e futbollit të femrave.
Titulli i kampionit në Sigal Superligë ia mundëson EP Hajvalisë që për të dytin vit radhazi të marrë pjesë në garat e Ligës së Kampionëve.
Comments