Rajoni

Hahn: Maqedonia meritoi rekomandimin, vazhdoni me reformat

Maqedonia është kthyer në rrugën evropiane pas sfidave të shumta lidhur me krizën politike, por kjo nuk është e mjaftueshme për arritjen e qëllimit final, ka deklaruar në Shkup, komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i Bashkimit EvropianJohannes Hahn, pas takimit me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, të cilit i dorëzoi raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Hahn tha se Maqedonia ka merituar raportin e pakushtëzuar për çeljen e negociatave dhe se periudha në vazhdim duhet të shfrytëzohet për përmbushjen e të gjitha reformave apo ngecjeve që janë konstatuar në fusha të caktuara.

“Nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi. Dinamika e reformave tani duhet të vazhdoj, veçanërisht në fushat me rëndësi si përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit. Zbatimi i reformave nuk është vetëm për përmirësimin e legjislatives, por edhe për përfitime nga ana e qytetarëve. Keni program të shkëlqyeshëm… keni bërë shumë për miratimin e rregullativës ligjore, por tani e gjithë kjo duhet të zbatohet”, ka deklaruar komisionari Hahn.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë që ka për Maqedoninë zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë duke paralajmëruar me këtë rast edhe një kompromis të mundshëm në periudhën në vazhdim. Hahn ka thënë se zgjidhja e këtij kontesti ka rëndësi të madhe jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për raportet mes dy vendeve dhe rajonin në përgjithësi.

“Maqedonia dhe Greqia është e mundur që në një të ardhme të afërme të zgjidhin kontestin me emrin. Dy palët janë të përkushtuara në këtë proces, edhe atë në një nivel të lartë dhe është e nevojshme të arrihet marrëveshje që do të jetë në shërbim të interesave të dy shteteve”, ka deklaruar komisionari Hahn pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, të cilit i ka dorëzuar raportin e progresit me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por, komisioneri Hahn nuk dha përgjigjen konkrete në pyetjen nëse BE-ja ka plan B, nëse Maqedonia dhe Greqia nuk arrijnë të zgjidhin kontestin.

Kryeministri Zoran Zaev, tha pas takimit se synimi i radhës i qeverisë është marrja e datës për nisjen e bisedimeve.

“Qëllimi jonë i radhës është vendimi për fillimin e bisedimeve mes Maqedonisë dhe BE-së për anëtarësim në Samitin e ministrave në qershor.

“Qeveria në mënyrë edhe më energjike do të vazhdojë me politikën e reformave në dy muaj në vazhdim, që në qershor Maqedonia të merr datën për nisjen e bisedimeve”, ka deklaruar Zaev.