Bota

Guterres: Pandemia shënon krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur pandeminë e koronavirusit si krizën më sfiduese globale që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas tij përballja me pandeminë, që po kërcënon njerëzit në çdo vend, do të sjellë një recesion “që ndoshta nuk ka një paralele në të kaluarën e fundit”.

Guterres i bëri komentet gjatë prezantimit të një raporti mbi ndikimet socio-ekonomike të COVID-19.

Raporti konkludon se ekziston rreziku që pandemia dhe ndikimi ekonomik i masave të shëndetit publik të kontribuojnë në “paqëndrueshmëri të shtuar, trazira dhe konflikt të zgjeruar”.

Guterres gjithashtu tha se duhet të ketë një reagim më të fortë dhe më efektiv global ndaj epidemisë dhe shkatërrimit social dhe ekonomik që po shkakton ajo.Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar. Deri më tani më shumë se 150 shtete kanë raportuar për infeksione me këtë virus, përderisa shumë shtete në botë kanë imponuar masa të izolimit të plotë.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në gjithë botën janë 838,061 raste të konfirmuara me koronavirus.

Deri më 31 mars janë shënuar 40,708 të vdekur.

Nga sëmundja janë shëruar 174,115 persona.