Kosova

Gusia: Dhuna në baza gjinore la të vdekur 5 gra dhe një fëmijë gjatë 2019-tës

Me rastin e hapjes së fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, organizoi tryezën e diskutimi, ku është prezantuar Manuali për Vlerësimin e Ndikimit të Barazisë Gjinore si dhe prezantimi i Vlerësimit të Zbatimit të Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Kryeshefja Ekzekutive e ABGJ-së, Edi Gusia, në hapje të fushatës theksoi se kjo fushatë nuk është ngjarje festive por është thirrje e ndërgjegjes për të gjithë shoqërinë për të pyetur se a punuam mjaftueshëm për të mbrojtur të gjitha ato gra dhe vajza që ishin viktima të dhunës në familje, dhunës në baza gjinore gjatë vitit 2019?

“Fatkeqësisht, gjatë vitit 2019 kemi 6 jetë të humbura, 5 gra dhe vajza dhe një fëmijë, të cilët humbën jetën si pasojë e dhunës në baza gjinore, si pasojë e një mentaliteti shumë sfidues, i cili ende minimizon pasojat e dhunës ndaj grave dhe reagimi vazhdon të jetë i ngadalshëm ndaj të gjitha atyre që kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen tonë”, theksoi Gusia.

Ajo shtoi se institucionet kanë bërë hapa pozitivë në drejtim të përplotësimit të kornizës ligjor edhe mekanizmave institucionalë, që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe ajo në bazë gjinore.

“Mirëpo, ka shumë nevojë të punohet në drejtim të ofrimit të një reagimi më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj thirrjes së të gjitha atyre grave që kërkojnë ndihmë për të shpëtuar nga një ambient apo situatë e dhunshme jetësore. Angazhimin për ta eliminuar dhunën në baza gjinore, dhunën në familje duhet ta vejmë në qendër të agjendave tona politike, edukative dhe informuese, parandalimi dhe reagimi ndaj këtij fenomeni shkatërrues duhet të jetë prioritet politikë hartues, buxhetor dhe reagim kulturor. Çështjet pronësore dhe trashëgimore, të cilat lënë vajzat dhe gratë të jetojnë në ambient familjarë të dhunshëm, mbështetja e iniciativave që krijojnë pavarësi ekonomike, përkujdesja sociale banesore për të mbijetuarat e çfarëdo lloj dhune, financimi i strehimoreve, qasja në drejtësi, eliminimi i barrierave burokratikë gjyqësore, kërkojnë angazhimin e institucioneve, universitetit, shoqërisë civile, mediave që të mos lejojmë të humbim jetë dhe të krijojmë mundësi për jetë të dinjitetshme, ku çdo grua dhe vajzë të ndjehet e mbrojtur dhe e sigurt”, deklaroi ajo.

Drejtoresha për Ndihmë dhe Zhvillim (Sida) nga Ambasada Suedeze, Nasrin Pourghazian, në fjalën përshëndetëse tha se me ABGj-në kanë një partneritet shumë të rëndësishëm dhe theksoi se përpos në Kosovë, dhuna në baza gjinore ndodh edhe në Suedi dhe se ky nuk është një problem kombëtar por është një problem global.

“Roli i qeverisë është shumë domethënës dhe si institucione ndikojnë pozitivisht në përmasimin e sistemit”, tha ajo.

Ndërkohë, Reyes Charle Cuellar, këshilltare për të Drejtat të Njeriut, në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë fjalës hyrëse tha se sot ka ardhur të përfaqësojë zyrën e BE-së, e cila, sipas saj, “edhe sot po diskuton për barazinë gjinore në Mitrovicën Veriore dhe në Prishtinë”.

“ABGJ ka një mandat të gjerë dhe se ajo është e angazhuar seriozisht në luftën kundër dhunës së grave, derisa për BE-në është e drejtë fondamentale dhe në të gjitha marrëdhëniet me të tjerët i promovon dhe angazhohet për të drejtat e barabarta dhe avancimin e tyre”, u shpreh ajo.

Ndërsa, David Oberhuber, shef për Bashkëpunim Ndërkombëtar në GIZ, tha se dhuna në familje nuk është prezente vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani dhe se numri i grave të vdekura si pasojë e dhunës ndaj grave në vitin 2019 është 120.

rastin e shënimit të 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, ABGJ-ja, në kuadër të aktiviteteve të ndryshme, ka ndriçuar Ndërtesën e Qeverisë me simbolin e kordeles së bardhë dhe ngjyrën portokalli.

Ndërtesa e Qeverisë do të qëndrojë e ndriçuar prej orës 17:00 deri në orën 24:00.

Shfaq më shumë
//thaudray.com/4/3473483