Kosova

Gucati u arrestua për frikësim të dëshmitarëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se Hysni Gucati është arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, transmeton KOHA.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tri konferencat e shtypit të OVL të UÇK-së, të 7, 16 dhe 22 shtatorit janë në fokus të fletarrestit ndaj kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, versioni anglisht dhe i redaktuar i të cilit është bërë publik mesnatën e së premtes.

Sipas pikës së parë të këtij fletarresti, Gucati dyshohet se nuk kishte ndërhyrë teksa nënkryetari i OVL të UÇK-së po përmendte me emra dëshmitarë të caktuar, potencialë.

“Ka dyshime të bazuara se Gucati kishte mbajtur tri konferenca shtypi, më 7, 16 dhe 22 shtator të 2020, duke shpërndarë apo vënë në dispozicion për mediat informata konfidenciale dhe jokonfidenciale, ashtu si edhe dokumente të lidhura me Zyren e Prokurorit të Specializuar, duke mos ndërhyrë kur Nasim Haradinaj përmendi me emër dëshmitarët e caktuar (potencialë), duke dhënë informata rreth vendbanimit të tyre, ashtu si edhe detaje tjera personale”, shkruhet në aktakuzë.

Njëkohësisht në këto konferenca shtypi, këta individë i janë ekspozuar rrezikut potencial për sigurinë e tyre, shkruhet në pikën e dytë të fletarrestit ndaj tij.

“Ky veprim përbën akt të dëmshëm me qëllim të hakmarrjes për ofrimin e informatave të vërteta për Task Forcën Speciale Hetuese dhe/ose Zyren e Prokurorit të Specializuar lidhur me kryerjen e pretenduar të shkeljeve penale”, shkruhet në fletarrest.

Sipas këtij fletarresti, ekzistojnë arsye për të besuar se arrestimi i Gucatit është i domosdoshëm, para se gjithash shkaku se ai është në dijeni rreth shkeljeve të pretenduara që përmban fletëarresti i tij, shkruhet midis tjerash në këtë pikë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.