Kosova

Gucati: S’ka protesta pa i ditur akuzat e Speciales, historia do t’i ndëshkojë ata që e votuan

Kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati ka thënë se që nga 1 janari i këtij viti Gjykata Speciale ka ftuar 10 ish-ushtarë të UÇK-së.

Duke e quajtur të papranueshme këtë Gjykatë, ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia e protestave.

Gucati në Express Intervistë të KTV-së ka thënë se për mbajtjen e protestave janë duke e vëzhguar situatën në terren.

“Për ne të gjithë janë të barabartë, protesta do të bëhet për të gjithë, si për një komandant ashtu edhe për ushtarë. Ne kemi thënë se nuk do të dalim në rrugë pa e ditur se çfarë aktakuza do të ngritën. Ne i kemi duart e lidhura nga parlamenti i Kosovës e në një të ardhme të afërt historia do t’i ndëshkojë këta që e kanë votuar. Këtë protestë do t’ua dedikojmë ndërkombëtareve dhe atyre që e votuan”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo gjykatë është e njëanshme, vetëm për kosovarët dhe jo për ata që kanë bërë krime.

Gucati ka thënë se nëse bëjnë protestë do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se nuk i frikohen drejtësisë, por janë kundër asaj që gjykata është e njëanshme.

“Protesta nuk ka të bëjë me atë që ne kemi frikë, mbi 17 deputetë të Kuvendit kanë qenë në Kuvend por ka edhe prej atyre që nuk e kanë votuar. Gjykata Speciale rrjedh nga matrapazi Dick Marty. Unë besoj që Kuvendi ka votuar nga presioni i ndërkombëtarëve. Këta është dashur ta bëjnë një gjykatë vendore. Unë mendoj që është e mundur të bëhet kjo gjykatë në Kosovë”, ka thënë ai.

Gucati thotë se me protesta nuk besojnë që do të arrijnë diçka të madhe, por do t’iu tregojnë ndërkombëtarëve dhe deputetëve që e kanë votuar se kanë bërë një gabim të rëndë.

AI thotë se mbi 260 ftesa kanë ardhur në Kosovë brenda një viti.

Mbi 15 mijë nënshkrime janë mbledhur në një peticion kundër Gjykatës Speciale për 48 orë, thotë ai.

Sipas tij, ka me qindra pjesëtarë të MUP-it që veprojnë në veri, por që nuk kapen nga drejtësia.

Ai thotë se deri më tash ka më shumë të ftuar dëshmitarë se sa të dyshuar.

“Unë besoj që të gjithë do të dinë ta mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së sepse luftë të pastër nuk ka”, ka thënë ai.

Duke folur për pastrimin e listave të veteranëve, ai ka thënë se në zyrën e tij kanë qenë 8 persona të cilët e kanë deklaruar statusin e rrejshëm të veteranit.

Ai tutje ka shtuar se OVL-UÇK ka bashkëpunuar me prokurorinë duke iu ofruar dokumentacionet e kërkuara.