Kosova

Gucati për Express: Specialja muajin e ardhshëm do t’i arrestojë 3-4 persona

Gjykata Speciale po vazhdon të “trokasë” në dyert e ish-ushtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm gjatë këtij muaji, 24 prej tyre kanë marrë ftesa, derisa numri i gjithë atyre që janë ftuar nga Specialja që prej themelimit shkon në mbi 100. Në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së thonë se gjatë tetorit dhe nëntorit do të ngrihen edhe aktakuzat e para, derisa paralajmërojnë edhe disa arrestime.

Arjeta Shabani

Haga do të jetë destinacioni kryesor gjatë tetorit e nëntorit për disa ish ushtarë dhe eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë vjeshta atyre pritet t’iu shkojë duke u endur nëpër zyret e prokurorëve të Speciales. 

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, numri i atyre që kanë marrë ftesa për intervistim nga Specialja shkon në mbi 100. Të gjithë këta do të intervistohen nga hetues të Gjykatës Speciale, si të dyshuar apo dëshmitarë për krime lufte dhe krime të tjera nga janari i 1998’ës e deri më dhjetor të vitit 2000.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati i ka thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtij muaji kanë ardhur 24 ftesa nga Gjykata Speciale, përfshirë edhe ftesat për dy ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopin dhe Sejdi Veselin. 

“Prej fillimit janë mbi 100 ftesa për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilëve, se kanë thirrur edhe dëshmitarë civil. Ndërkohë, vetëm gjatë këtij muaji janë diku 24 ftesa”, ka thënë ai. 

Sipas Gucatit, gjatë këtyre dy muajve pritet të ngrihen edhe aktakuzat e para. Madje, Gucati ka paralajmëruar edhe arrestime gjatë kësaj periudhe. 

Sipas burimeve të kësaj organizate, do të arrestohen 3-4 persona.

“Muaji tetor dhe nëntor pritet të jenë më të nxehtë, meqenëse aktakauzat e para pritet të ngriten në këta muaj. Sipas informacioneve që kemi nga kanalet tona pritet që të ketë edhe ngritje aktakuzash. Me burime tona pritet që të ketë arrestime të 3-4 persona. Për momentin nuk e dijmë nëse ka fytyra publike, përveç Fadil Bekës që reaguam sot që është ish deputet dhe mjeku i luftës”, ka thënë Gucati për Express.

Gjykata Speciale nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë për personat e dyshuar.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Prokurorisë së Hagë, Christopher Bennett ka thënë vetëm se puna është duke vazhduar dhe se nuk mund të flasin për afate kohore se kur mund të ndodhë ngritja e aktakuzave.

“SPO nuk ka jep informacion mbi statusin e hetimeve të cilat janë duke vazhduar. Nuk mund të flas as për afate kohore, për arsye profesionale, etike dhe ligjore”, ka deklaruar Bennett.

Ndryshe, më 19 korrik, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të paparitur pasi njoftoi se kishte pranuar ftesë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime të luftës.

Pas përfundimit të intervistimit në Gjykatën Speciale, Haradinaj tha se do të mbrohet në heshtje dhe se nuk është ngritur aktakuzë për te.

Nga Prokurori i Specializuar u intervistua edhe ish-anëtari dhe zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili njoftoi se ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Prej se ka filluar procesin e intervistimit, dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë paraqitur për intervistim pranë Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Gjykata Speciale u formua pasi vet deputetët e Kuvendit të Kosovës, në gusht të 2015-s votuan për themelimin e saj.

Formimit të Gjykatës Speciale i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë./Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published.