KULTURË

GSJP: Veprimet që cenojnë Kullën e Vokshit përbëjnë sulm banditesk ndaj trashëgimisë dhe historisë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes një reagimi për media shpreh keqardhjen e thellë për tentimin e tretë me radhë të kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe disa anëtarëve të Asamblesë Komunale për të anuluar vendimin e mëhershëm të po të njëjtit institucion (të vitit 2015) që i garanton statusin e “zonës së veçantë e mbrojtur” zonës përreth Kullës së Sylejman Vokshit; monumentit të trashëgimisë kulturore – që mbetet simbol i vetëm i heroit kombëtar dhe njërit ndër prijësve të Lidhjes së Prizrenit.

Në reagimin për media, GSJP-ja rikthen në kujtesë se nëpërmjet vendimit të vitit 2015 zona përreth shtëpisë (kullë) së lindjes të Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, me qëllim që vlera kulturore dhe me identitet e Kullës së Sylejman Vokshit të ruhej dhe zhvillohej tutje, si dhe që të pengohej ndërtimi i objekteve që do të dëmtonin dhe zhvlerësonin këtë monument të trashëgimisë kulturore.

“Në seancën e ditës së hënë, 04.03.2019, Asambleja Komunale e Gjakovës, sipas propozimit të Kryetarit Gjini është thirrur që të anuloj këtë vendim dhe t’i hap rrugë që pronat përreth Kullës së Sylejman Vokshit të mund të shndërrohen në parcela të dedikuara për ndërtim të lartë. Një veprim i tillë do ketë vetëm një rezultat, që përgjithmonë, vlerën historike dhe kulturore të Kullës në fjalë ta varrosin”, thuhet në reagimin e GSJP-së.

GSJP me reagim u rikujton kryetarit Gjini dhe asamblistëve të Komunës së Gjakovës që mbështesin këtë veprim se Kulla e Sylejman Vokshit mbetet monument me statusin e mbrojtjes së përhershme nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (një vendim i tillë që daton prej vitit 1980), dhe si e tillë është monument historik i trashëgimisë kulturore dhe kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Për më tepër, kthimi në rishqyrtimin dhe rrjedhimisht ndryshimin e statusit të pronave përreth Kullës përbën vepër penale dhe është në kundërshtim me një listë të gjerë të ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për GSJP-në, vlerat e trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, të shprehura në formën e monumenteve, nuk mund të bëhen objekt për t’u tregtuar dhe subjekt i përfitimeve individuale të ndërtuesve të nëntokës.

“Ato qëndrojnë mbi të gjithë ne dhe mbi interesat individuale. Vlerat e trashëgimisë kulturore dhe kombëtare s’mund të tregtohen, blihen dhe shiten, dhe nuk guxojmë t’i shuajmë dhe kujtimin për ato ta përdhosim”, thuhet në reagim.

Kjo organizatë ndalet edhe te figura e Sylejman Vokshit.

“Është hero kombëtar. Kulla e tij është simbol i veprimtarisë së tij, ekzistencës së tij dhe kontributit të pashembullt të tij për kombin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën dhe trashëgimin kulturore të të dyja vendeve. Çdo veprim për të cenuar vlerën e Kullës përbën sulm banditesk ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe historisë kombëtare”, thuhet në reagim.

“Iniciativa e tillë, përveç që përbën një veprim të turpshëm dhe të pa-precedentë që nga paslufta në Kosovë, mbetet qartazi goditje e radhës ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe konfirmim i mesazheve të kundërshtarëve të Kosovës që institucionet e saj nuk janë në gjendje të mbrojnë dhe respektojnë trashëgimin kulturore të Kosovës”, thuhet më tej aty.

GSJP, kërkon nga kryetari i Komunës, Gjini, që të tërheqë një kërkesë të tillë dhe të punojë në drejtim të promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare të Kosovës. Po ashtu, GLPS bën thirrje Ministrit të Kulturës së Kosovë që të jetë në krye të detyrës dhe të parandalojë që monumentet e trashëgimisë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovës të shuhen nga vet përfaqësues politik të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, GLPS fton Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet që ta parandalojnë një veprim të tillë turpërues mbi historinë kombëtare dhe trashëgimin kulturore të Kosovës. GLPS për fund, fton Prokurorinë Speciale të Kosovës që të hetojë çdo individ që është iniciator dhe vendimmarrës në këtë proces, dhe të zbardh abuzimin e pastër të pushtetit publik dhe shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore.