KULTURË

Grupi i artistëve në Kosovë e quan sulm ndaj demokracisë shembjen e objektit të Teatrit

“Në Teatër nesër do të shihni marrëzinë tuaj”, “Muret i shembni, jo teatrin” kanë qenë disa nga mesazhet që artistët nga Kosova i kanë përdorur si solidarizim me kolegët e tyre në Shqipëri.

Para Teatrit Kombëtar të Kosovës artistët kosovarë kanë kundërshtuar rrënimin e ndërtesës 80-vjeçare në Tiranë.

Drama e Jeton Nezirajt me regji të Blerta Nezirajt, “Pesë stinët e armikut të popullit”, është shfaqja e fundit që ishte luajtur në ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë më 6 dhjetor.

Grupi i artistëve në Kosovë e ka quajtur shembjen e objektit teatror sulm ndaj demokracisë.

Krahas një pjese të komunitetit artistik, me mbrojtësit e ndërtesës së Teatrit është rreshtuar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional”, ka shkruar ai në Facebook.

Regjisori Kushtrim Koliqi, thotë se është dëshmuar që klasa politike shqiptare nuk i vlerëson kulturën dhe artistët si asete për shpirtin e kombit.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka prezantuar sot projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar.

Ai ka shkruar se edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetëra e dhjetëra vjet, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë publiku shqiptar, Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë.

Aksioni i orëve të hershme të mëngjesit të së dielës, përplasi policinë dhe qytetarët protestues.

Debati dhe kundërshtimet për shembjen dhe ndërtimin e objektit të ri të Teatrit Kombëtar kanë nisur që para dy vjetësh.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483