SPORT

Griezmann-i mund të përfshihet në një shkëmbim me Neymar-in

Vitin e kaluar PSG nguli këmbët në lloç dhe s’dëshironte të dëgjonte asnjë ofertë nga Barça për Neymarin, por gjërat kanë ndryshuar këtë herë.

Sipas të përditshmes katalunase Sport, Paris Saint Germain ka pranuar që të negociojë me Barcelonën për Neymar Junior.

Antoine Griezmann duket se do t’i thotë lamtumirë Barçës vetëm pas një viti sepse ai do të përfshihet në marrëveshje dhe diçka e tillë i ka pëlqyer edhe PSG-së.

PSG e do një kampion të Francës në skuadër dhe Griezmann do të ishte lideri që kanë kërkuar për një kohë, pasi janë në dijeni se një ditë do të humbasin edhe Kylian Mbappen.

Në anën tjetër, Neymar do të realizonte dëshirën e madhe, që të luajë sërish me Messin dhe Suarezin.

Ai i ka rënë pishman që u largua në vitin 2017 dhe mezi pret që ta veshë edhe njëherë fanellën e Barcelonës.

Një tjetër sinjal se Griezmann po shkon drejt PSG-së është edhe fakti se Xavi Hernandez raportohet se do të emërohet trajner i Barcelonës, i cili tashmë ka treguar se çfarë i duhet në sulm ish skuadrës; “Neymari dhe Sancho (i Dortmundit)”. /Gazeta Express/