Kosova

Grenell në Beograd: Trumpi pret që taksa dhe fushata e çnjohjeve të përfundojnë shpejt

I dërguar special i ShBA-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar në Beograd se Kosova duhet të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe në të njëjtën kohë, Serbia duhet të ndalojë fushatën për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“U kam thënë në Kosovë se duhet ta heqin taksën, por në të njëjtën kohë do të insistoj që edhe Serbia të ndalojë fushatën për tërheqje të njohjeve të Kosovës. Kjo duhet të ndodhë njëkohësisht, dhe, të jem i sinqertë, mendoj se kjo do të ndodhë shpejt”, tha Grenell para gazetarëve në Beograd, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Grenell tha se “komuniteti i biznesit dëshiron që kjo të ndodhë dhe edhe njerëzit e thjeshtë bëjnë thirrje për këtë” dhe shtoi se përqendrimi duhet të jetë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo në çështje politike.

“Ndiej energji të mirë nga të dyja palët, por presidenti Trump nuk do t’më lejojë që ta bëj këtë punë gjatë nëse s’ka përparim”, tha Grenelli, transmeton Koha.net.

“Nuk duam të humbim kohën tonë”, shtoi Grenell në pyetjen e Radios Evropa e Lirë (REL) rreth asaj se kur SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje, duke pasur parasysh se ai dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja, faktikisht është ndërprerë tash e më shumë se 14 muaj.

Grenell tha se as SHBA-ja nuk ka ide specifike për t’ua paraqitur bashkëbiseduesve në Beograd, por se qëllimi i tij është që “të dy palët ta shtyjnë njërën kah tjera”.

“Kam entuziazëm që të ecim përpara, në vend që të shkojmë prapa, dhe të shoh nëse dy palët do të mund të bisedojnë dhe të kaluarën ta lënë në të kaluarën. Mendoj se kemi pak kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe shpresoj sinqerisht që edhe serbët edhe populli i Kosovës dhe qeveritë e tyre do të shfrytëzojnë këtë mundësi”, porositi Grenell nga rezidenca e ambasadës amerikane në Beograd.

Sipas REL-it, Grenelli në Beograd përsëriti porositë që i dha në Kosovë, se “dy gjëra duhet të ndodhin vërtet – të hiqet taksa dhe të ndalojë fushata për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.