Hi Tech

Google së shpejti do ta bllokojë logimin nga browserët e integruar

Aplikacionet në pajisjet mobile, si Facebooku, Instagrami, Reddit dhe të tjerë, vijnë me browserët e tyre të integruar.

Ideja prapa kësaj është që përdoruesit do të vazhdojnë ta përdorin aplikacionin edhe kur klikojnë në link. Megjithatë, problemi me browserët e integruar është se ata mund të përdoren për ta cenuar sigurinë dhe për sulme të hakerëve, raporton Ubergizmo.

Google është e vetëdijshme për këtë dhe kompania ka njoftuar se nga qershori do t’i bllokojë logimet nga browserët e integruar. Sipas kompanisë, “MITM (man in the middle) e ndërprenë komunikimin ndërmjet përdoruesit dhe Google në kohë reale për të mbledhur informacione në lidhje me përdoruesit dhe për t’u loguar. Meqë nuk është e mundur të përcaktohet dallimi në mes të logimeve legjitime dhe sulmeve të MITM në këto platforma, Google do t’i bllokojë logimet nga browserët e integruar nga qershori”.

Për ata që nuk e dinë, sulmet MITM janë situatat ku hakerët i vjedhin të dhënat për logimin e përdoruesit, kur ky i fundit i regjistron ato. Kjo shpesh mund të shihet në phishing e-mailat, ku merren mesazhe për të cilat mendoni se janë nga banka, ndërsa kur e klikoni linkun dhe i shkruani të dhënat tuaja ato vidhen, shkruan KOHA Ditore.

Ndryshimi i Google është një lajm i mirë për ata që nuk ndihen të sigurt gjatë logimit në llogaritë e tyre të Google nëpërmjet browserëve të integruar.