Show Biz

Gold AG befason fëmijët me nevoja të veçanta

Reperi i njohur shqiptar, Gold AG, është mjaft i angazhuar në periudhën festive të fundvitit.

Përkundër koncerteve e angazhimeve të shumta, ai ka gjetur kohë që në këtë periudhë të gëzojë disa prej fansave më të veçantë të tij

Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Arian Agushi, ka vizituar Qendrën Burimore “Përparimi”, në Prishtinë, duke gëzuar fëmijët e kësaj qendre me praninë e tij.

Ai ka publikuar një video në rrjetin social Instagram, ku shfaqet teksa këndon për fëmijët në ambientin e stolisur enkas për Vitin e Ri.

Fëmijët shihen të lumtur dhe të hareshëm, duke kërcyer plot gëzim teksa pranë tyre gjendet reperi i njohur, që ishte befasia për këtë ditë.

“Në qendrën burimore “Përparimi” në Prishtinë, u kënaqa me fëmijët e kësaj qendre të cilët janë të sprovuar nga Zoti, por të dashur për gjithë ne. Ju dua fort”, kanë qenë fjalët e reperit në mbishkrimin e kësaj videoje.

Gold AG përndryshe është i njohur për veprimtarinë e tij bamirëse, duke qenë gjithnjë pran njerëzve në nevojë dhe atyre me nevoja të veçanta.