Kosova

GLPS: S’kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi mund të ndodh këtë vit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një konferencë për media ka folur për dështimet e Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se sot në 9 majin Ditën e Evropës, institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë duke e festuar , përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida në rrugën e integrimit Evropian.

“Nivelet e këtyre sfidave janë evidente në dy raste. Asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e vë në pikëpyetje rrugën integruese të Kosovës që natyrisht pastaj reflekton në mënyrën e vendimmarrjes në Këshill të Evropës për çështje të cilat kanë të bëjnë me Kosovën. Pastaj mungesa e një përkushtimi minimal të Qeverisë dhe akterëve tjerë politikë për të zbatuar në mënyrë solide reformat e kërkuara në kuadër të procesit integrues të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur pesë dështimet e Qeverisë së Kosovës.

“Së pari, rritja e klientelizmit, madhësia enorme e Qeverisë, abuzimi i parasë publike, dhe një sektor publik jo efiçient. Së dyti, ka mungesë të një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikim të shtuar politik. Së treti, sektori privat mbetet relativisht i pazhvilluar, jo konkurrent dhe rritje të monopolizimit në tregje të caktuara, dhe mungesë mbrojtje të konsumatorit. Së katërti, sistemit arsimor në Kosovë i ka munguar një reformë substanciale sidomos arsimit të lartë i cili ka mungesë të theksuar të cilësisë dhe së, pesti ekziston një tendencë e rritjes së migrimit si rezultat i pakënaqësisë ndaj qeverisë së vendit dhe mungesës së besimit”, ka theksuar ajo.

Ajo ka përmendur edhe premtimeve që krerët e shtetit po japin për liberalizimin e vizave.

” Ne kemi parë premtime vetëm prej udhëheqësve tanë Qeverisë apo institucionet përkatëse, por nuk kemi pas premtime serioze nga institucionet e BE-së. Në anën tjetër kemi shumë çështje që po pengojnë zhvillime tjera e që BE-ja po i lidhë dhe nuk kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi mund të ndodh këtë vit”, theksoi ajo.