OPINION

Gjyshi, Stereoskopi dhe Uji i Qabesë

Shkruan: Bajram MJEKU
Ishte dimri i vitit 1972, kur gjyshi im Salihu u kthye nga haxhi. Dimri ishte i fortë, por ngricat e tij sikur shkriheshin nga vizitat e jashtëzakonshme qe i bënin mysafirët e shumtë që vinin nga të gjitha anët.

Mbaj mend që vizitat nuk prajtën rreth tri javë, ndërsa gjyshi ishte po ai para se t’i vizitonte vendet e shenjta. Nuk bartte asnjë shenjë identifikuese pas kthimit nga haxhi dhe nuk pranonte nga askush thirrjen e famshme “haxhi”.

Ende kam ndjesinë se njerëzit ishin të etur për të shuar kureshtjen edhe për një fakt, pasi Hasani, baba i gjyshit që i bie të jetë stërgjyshi im, në janar të vitit 1937 kishtë ndërruar jetë në Mekë gjatë procesionit të lutjeve. Kisha ndjesinë sikur gjithë ata mysafirë, vinin për të vërtetuar se është kthyer gjyshi nga vendet e shenjta apo jo!

Nga viti 1937 e më vonë, familjes time i mbeti nofka “Haxhia”, për faktin se stërgjyshi kishte ndërrua jetë gjatë haxhit në Mekë.

Atë mëngjes dhjetori të vitit 1972, më kujtohet kur nana ime hyri në dhomën e fjetjes me një bucelë të mbushur me ujë zemzem, i cili ndryshe njihet edhe si Uji i Qabesë. Ujin e kishte sjellë gjyshi nga vendet e shenjta. Nana ime e ndjerë, me një tis të buzëqeshjes në fytyrë, nga bucela hodhi ujin e bekuar në një gotë uji, i cili në fakt nuk e kishte sasinë e mbushjes më të madhe se filxhani i kafesë dhe më ofroi që ta pija. Shija e ujit zemzem ishte ndryshe nga uji që pimë ne. Nuk do ta harroj asnjëherë aktin e mbushjes së gotës me ujin e bekuar nga nana ime dhe respektin e saj të jashtëzakonshëm, të cilin e ruante si të ishte ilaç!

Pak më vonë, me padurim pritja takimin me gjyshin. Edhe sot e gjithmonë më mban në jetë krenaria, humanizmi dhe modestia e tij e jashtëzakonshme. Pas përqafimit, ai nxori nga valixhja e tij një stereoskop, të cilin më kishte sjellë dhuratë nga vendet e shenjta. Stereoskopi ishte një lloj fotoaparati, në të cilin futeshin slajdet me nga 14 fotografi, në të cilat shfaqeshin pamje interesante dhe mahnitëse nga vendet e shenjta.

Sot, nga një distancë të kohës, shkuarja dhe kthimi nga haxhi sikur përjetohen ndryshe. Sigurisht nga vështirësitë e udhëtimit që ishin dikur dhe nga pamundësia ekonomike e çdo besimtari që të sendërtonte ëndrrën e tij jetësore.

Këtë copëz kujtimi, po e sjell për respekt të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe për të gjithë axhëruesit e Tij.

Gjyshi, Stereoskopi dhe Uji i QabesëIshte dimri i vitit 1972, kur gjyshi im Salihu u kthye nga haxhi. Dimri ishte i…

Posted by Bajram Mjeku on E enjte, 22 April 2021