Kosova

Gjyqtarët e Apelit “mposhten” nga ata të Themelores në konkursin për Departamentin Special

Përvoja e gjatë e punës me gjykimin e lëndëve të shkallës së dytë nuk u ka shërbyer gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për t’u zgjedhur gjyqtarë në Departamentin Special të po kësaj gjykate. Ky departament është themeluar me qëllim të specializimit të gjyqtarëve në trajnimin e lëndëve të korrupsionit.

Tre gjyqtarë të Departamentit të Krimeve të Rënda në kuadër të Apelit, që kanë konkurruar për gjyqtarë në Departamentin Special, janë mposhtur nga tre kolegë të tyre që vijnë nga një shkallë më e ulët e gjykatës, nga Themelorja, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i kontaktuar për këtë çështje, nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me dështimin e gjyqtarëve të tij për t’u avancuar në departamentin më të rëndësishëm në nivelin e Gjykatës së Apelit.

“Në lidhje me këtë ka pasur një konkurs dhe nuk është mirë të deklarohem”, i ka thënë ai gazetës. Sipas tij, për këtë çështje duhet të pyetet Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).

“Unë nuk kam qenë anëtar i Komisionit. Kjo procedurë është zhvilluar nga KGjK”, ka thënë ai.

Kryesuesi i këtij institucioni, Skëndër Çoçaj, e ka cilësuar si plotësisht të rregullt procesin e përzgjedhjes se gjyqtarëve specialë në Gjykatën e Apelit.