Kosova

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës e të tjerëve, dëshmitarët tregojnë për shumat e parave dhe për mënyrën e sigurimit të vizave italiane

Të martën, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, si dhe tre të akuzuarve të tjerë, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të cilët pretendohet se në grup të organizuar kriminal kishin bërë dallavere me viza italiane.

Për këtë rast, akuzohen edhe 15 persona të tjerë për të cilët nga gjykata është veçuar procedura në mënyrë të procedimit më të shpejt të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, janë dëgjuar tetë dëshmitarë, tre nga të cilët kanë deklaruar se kanë paguar shuma të ndryshme të parave për të marrë vizë italiane.

Dëshmitarët Neki Duraku, Mehdi Tishuki dhe Fitim Deliu, kanë treguar për gjykatën se si kishin dhënë shuma të parave nga 3500 deri në 4000 euro për t’u pajisur me viza italiane, për të cilat nuk kishin aplikuar vetë, por përmes personave që sipas tyre, nuk i kishin njohur më parë.

Dëshmitari Neki Duraku, ka deklaruar se në vitin 2013 kishte marrë një vizë italiane, pa plotësuar asnjë formular.

“Unë kom qenë në shtëpinë time në Krushë, aty e kom dorëzu pasaportën tek një njeri që kurrë në jetën time se kam parë më. Rastësisht kam ra në kontakt me të, sepse kom dashtë me dal jashtë në të zezën”, tha Duraku.

Ai deklaroi se këtë person e kishte takuar në Krushë të Madhe, ku i kishte kërkuar fotografi dhe pasaportën, ku më pasi atij i ishte bërë viza.

“Unë kam shku në Piranë me la veturën time edhe më kanë tregu do njerëz që ai rregullon viza, e më pas ai person që nuk e kam njohur ka ardh në Krushë jemi taku edhe ja kom dhanë pasaportën për me rregullu vizën, emrin nuk ia di se nuk e kisha dert me pyet, unë doja të dilja jashtë për vëllaun tim”, tha Duraku.

Duraku tha se përmes miqve të tij kishte marrë vesh që dikush rregullon viza në mënyrë të rregullt, e që i kishin thënë se nuk ka nevojë të dal ilegalisht kur mund ta bëj me më pak para, në mënyrë të rregullt.

“Paratë ia kom dhanë pasi e kom marrë vizën, ja kom dhanë 4000 euro atij kesh, ato pare që i kemi mbledh me familje tu punu krejt verën”, tha Duraku.

Ai më pas tha se këtë vizë e kishte shfrytëzuar pasi që kishte shkuar për vizitë te vëllai i tij, e që në aeroport e kishin informuar se ajo vizë që kishte marrë vlente vetëm për 30 ditë.

Më pas, dëshmitari tha se të akuzuarit nuk i njeh dhe se nuk është në sallë personi që i kishte rregulluar atij dokumentet dhe i kishte bërë vizën.

Ngjashëm ka deklaruar edhe dëshmitari Mehdi Tishuki, i cili tha se nga një shok i tij kishte marrë vesh se dikush po rregullonte viza italiane.

“Ai e ka njoftë ni djal. Unë nuk e njoh kush u kanë ai veç që jemi taku me këtë person në Pejë dhe unë ja kom pagu rreth 3500 euro edhe ai ma ka pru pasaportën me vizë në to”, tha Tishuki.

Ai tha se nuk e ndien veten të dëmtuar nga ky rast.

Ndërsa, dëshmitari Fitim Deliu, tha se kishte dhënë 3500 euro për të marrë vizë italiane, e që të njëjtën e kishte shfrytëzuar për të shkuar në Suedi.

Ai tha se përmes disa personave të panjohur kishte dëgjuar se mund të siguronte vizë italiane.

“Unë ata persona si kisha pa më parë, më thanë a po don me marrë vizën, i thash që po, u’a dhashë pasaportën edhe ju thash nëse ma siguroni vizën unë jau dha paret, tani masi ma kanë pru vizën jau kom dhanë 3500 euro”, tha Deliu.

Ai tha se paratë në vlerë prej 3500 euro i kishte marrë borxh dhe se vetëm kishte krijuar shpenzime kur kishte marrë vizën, të cilës tha se “nuk ia kishte parë hajrin”.

Deliu tha se të akuzuarit nuk i njeh dhe kurrë nuk i kishte parë.

Dëshmitari Kujtim Doli, tha se ka qenë futbollist dhe se nuk ka marrë ndonjë herë vizë përmes të akuzuarit Astrit Haraqija.

Doli shtoi që nuk e kishte problem që të siguronte vizë, sepse ishte biznesmen dhe kishte marrë shpesh viza, duke shtuar se asnjëherë nuk kishte punuar në familjen Rugova.

Dëshmitari Shpëtim Jaka ka deklaruar se kishte marrë vizë italiane me ndihmën e të akuzuari Haraqija.

“Unë kom pas më parë vizë italiane, tek kjo vizë kom ardhë, pasi që kom pas një sëmundje, baba ka bisedu me Astritin, baba pasaportën ma ka çu në restorantin “Ultra” në Prishtinë, se kam qenë shumë keq dhe Astriti i ka ndihmu ja ka përshpejtu procedurën, edhe unë e kom marrë një vizë.

Jaka tha se kishte udhëtuar në Francë, ku ishte trajtuar për sëmundjen e tij, e që vizë kishte pasur vetëm për një muaj, por ai tha se kishte qëndruar dy vite ku kishte kërkuar edhe azil.

“Viza më ka vlejtë për 30 ditë, unë kam udhëtu vetëm njëherë me të për në Francë, unë jam i papunë jam veteran i luftës. Në familjen e Rugovës kom punu kohë pas kohe si sigurim, na ka thirr Astriti dhe ne kemi shku”, tha Jaka.

Jaka tha në fund se me atë që i kishte treguar babai i tij ai nuk kishte paguar asgjë për vizë ku edhe biletat e aeroplanit sipas Jakës i kishte paguar i akuzuari Haraqija.

Kurse, Abedin Kola tha se kishte kërkuar nga i akuzuari Haraqija që t’i siguronte një vizë, sepse kishte dëshirë të shëtiste.

Ai tha se të akuzuarin Haraqija e njeh sepse e ka fqinj.

Kola më pas shtoi se policia kufitare e kishte intervistuar sepse kopja e pasaportës së tij ishte gjetur tek familja Rugova, por që për këtë gjë ai nuk ka dijeni se pse kishte ndodhur.

“Unë kom bisedu me Astritin, se nijhem edhe në bazë të partisë, i kom thanë a munesh me ma bo një vizë për nja ni muj me u shëtit, se pata hi në KEDS, në punë e për mos me nejt thash të dal të shëtiti vet, ai më tha jepja pasaportën edhe dy fotografi, shoferit tim Edi Kuçit dhe unë ta boj vizën”, tha Kola.

Më pas, dëshmitari tha se kishte pritur gjatë, por pasi që nuk i ishte siguruar viza, ku i kishte kërkuar Kuçit që t’i kthente pasaportën.

Kola tha se nuk ndihet i dëmtuar sepse nuk kishte bërë asnjë shpenzim për vizë.

Dëshmitari i fundit për këtë seancë ishte Halil Mala, i cili tha se përmes Edmond Hoxhës, pronarit të studios së dizajnit, kishte marrë vizë italiane.

Ai tha se Hoxha, kishte afërsi me Haraqinë dhe i kishte thënë se mund t’i siguronte një vizë për në Itali.

Mala tha se e kishte marrë vizën pa ndonjë procedurë, vetëm se kishte dorëzuar dy fotografi dhe pasaportën, e që këtë vizë më pas e kishte shfrytëzuar për dy javë, e më pas ishte kthyer.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve seanca ka përfunduar, për të vazhduar më 26 shkurt 2020, në orën 09:30.

Për këtë rast, të akuzuar ishin edhe 15 persona të tjerë, për të cilët, më 3 korrik 2019, është marrë vendim që procedura të veçohet.

Andaj, në këtë mënyrë për pesë të akuzuarit e parë, gjykimi do të vazhdojë ndaras nga 15 të tjerët.

Ky rast është përballur me shtyrje të vazhdueshme ku edhe seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.

Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.

Në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.

Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.

Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.

Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.

Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.

Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.

Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.

Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. 

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483