Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se vizën në Ambasadën Italiane e kishte marrë përmes agjencionit

Dëshmitari Ismet Krasniqi deklaroi se përmes zyrës ndërlidhëse “Ivao” ishte pajisur me viza të Ambasadës Italiane në Kosovë.

Këtë deklarim, dëshmitari Krasniqi e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit, të cilët po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurores speciale Florie Shamolli se a kishte qenë i pajisur me vizë italiane në vitin 2013, dëshmitari Krasniqi tha nuk i kujtohen saktë datat, mirëpo kishte qenë i pajisur me vizë.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Krasniqi deklaroi se kishte qenë i pajisur me vizë italiane, sipas tij diku pesë – gjashtë viza.

Ai tha se me këtë vizë ishte pajisur përmes agjencionit, por që nuk i kujtohet se çfarë dokumente kishte dorëzuar në atë agjencion, mirëpo i kujtohet se sa herë që kishte aplikuar gjithmonë ishte pajisur me vizë.

Tutje dëshmitari tha se kishte aplikuar përmes agjencionit “Ivao” dhe nga ata ishte njoftuar se i është dhënë vizë nga Ambasada Italiane.

Prokurorja Shamolli e pyeti se a është konstatu që gjithçka ka qenë në rregull me këtë vizë kur ka shkuar në Gjermani e në Itali, për të cilën dëshmitari tha se përderisa kishte kaluar pa probleme, normalisht që viza kishte qenë në rregull.

Po ashtu, prokurorja e pyeti edhe nëse kishte punuar diku në vitin 2013, për çka dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse ka qenë i punësuar apo jo.

Ndërsa, i pyetur nëse kishte punuar ndonjëherë si truproje në familjen Rugova, Krasniqi tha se kishte qenë i angazhuar, por jo me punë të rregullt dhe shtoi se vetëm kishte marrë pjesë nëpër fushata, por që nuk ishte paguar.

“A e keni pa dokumentin se në aplikacionin tuaj ka qenë një dokument ku figuron se ju keni punuar si truprojë” ishte pyetja e prokurores ku dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

“A keni kërku ndonjëherë nga familja Rugova të ju shkruaj ndonjë letër garantuese” ishte pyetja pasuese te prokurores gjë të cilën e mohoi dëshmitari.

Në pyetjen e avokatit Besnik Berisha se a është e vërtetë se përmes zyrës ndërlidhëse “Ivao” ishte pajisur me vizë.

“Me sa kuptova askush prej familjes Rugova nuk ka asistuar apo ndihmuar që të pajiseni me vizë, pasi që ju thatë se keni pasur së paku pesë viza të cilat janë marr në mënyrë të rregullt në zyrën ndërlidhëse të njohur si “Ivao” në Dragodan” tha avokati Berisha dhe kjo u pohua nga dëshmitari.

Në rimarrje në pyetje prokurorja Shamolli kërkoi nga dëshmitari të dij nëse ka qenë i ftuar nga ambasada, pasi që në deklaratën e dhënë në polici kishte thënë se ishte ftuar nga ambasada.

Për këtë dëshmitari tha se nuk e di nëse ishte ftuar nga ambasada apo nga “Ivao”.

Në pyetjen e gjykatësit Naser Foniqi se përpos taksës dhe pagesës së sigurimit shëndetësorë a kishte kryer ndonjë pagesë tjetër, dëshmitari i u përgjigj se nuk kishte bërë asnjë pagesë tjetër e as nuk i kishte kryer ndonjë shërbim që të ndikoj që ai të pajiset me vizë.

Në pyetjen e gjykatësit Kushtrim Shyti se a e kishte kontaktuar dikë nga të akuzuarit për t’i ndihmuar për marrjen e vizës, dëshmitari tha se jo, madje sipas tij as që i kishte njohur.

“Ukë Rugovën e kemi njohur si fytyre pasi që ka qenë djali i presidentit Rugova, por jo më shumë” shtoi dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari Krasniqi në pyetjen e gjykatëses Fatime Dermaku se a i kishte dorëzuar vet dokumentet në Ambasadën Italiane,

Gjykatësja Dermaku kërkoi nga dëshmitari të sqaroj edhe një herë se si e kishte marr vizën.

“Tani nuk më kujtohet se ku e kam marr vizën për rastin që jam duke deklaruar, nuk më kujtohet a e kam marr në agjencioni “Ivao” apo në Ambasadën Italiane, dhe tani nuk më kujtohet se ku kishte qenë Ambasada Italiane në atë kohë” ishte përgjigja e dëshmitarit.

Kur u pyet nëse e kishte plotësuar aplikacionin vet apo dikush tjetër, dëshmitari tha se aplikacioni për vizë zakonisht iu ishte plotësuar nga punëtorët që kryenin shërbimin e sigurimit shëndetësor.

Gjithashtu, dëshmitari Krasniqi kur u pyet se a e kishte nënshkruar ai aplikacionin, tha se nuk i kujtohet kjo gjë, por që beson se po.

Gjykatësja ballafaqoi dëshminë e dëshmitarit me deklaratën e dhënë në polici, ku kishte thënë se nuk është nënshkrimi i tij, për çka dëshmitari tha se nëse ia kanë paraqitur ndonjë dokument ku nuk kishte qenë nënshkrimi i tij, ka thënë se nuk është i tij.

Gjykatësja Dermaku e pyeti nëse kishte kërkuar ndonjëherë nga Ukë Rugova ndonjë letër, për të kërkuar lëshimin e vizës nga Ambasada Italiane.

“Nuk kam komunikuar dhe as kërkuar asnjëherë nga Ukë Rugova që të shkruajë letër mbështetëse për aplikim për vizë italiane”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur nga ana e gjykatëses se a ka punuar ndonjëherë si sigurim në familjen Rugova, dëshmitari tha se nuk kishte punuar asnjëherë.

Dëshmitari Ismet Krasniqi para dhënies së dëshmisë së tij njoftoi gjykatën se mbi 5 vite më parë ka ndërruar emrin, nga Ismet në Jon, por që deklaroi se nuk e ka aktvendimin për ndryshimin e emrit, mirëpo numri personal i tij është i njëjtë.

Meqenëse numri personal ishte i njëjtë, ai vazhdoi dhënien e dëshmisë së tij.

Në pyetjen e prokurores Florije Shamolli, se në vitin 2015 kur kishte dhënë një deklaratë me pasaportë në emër të Ismet Krasniqi, dëshmitari tha se ajo pasaportë kishte qenë e pavlefshme pasi që veç se kishte aplikuar për pasaportë tjetër.

“Në atë pasaportë kam pas pesë viza shengen, të cilat nuk kanë qenë valide” shtoi ai.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku njoftoi palët se nga ora 9:00 ishte paraparë dëgjimi i këtij dëshmitari, i cili ishte ftuar në mënyrë të rregullt e ishte kontaktuar edhe përmes telefonit, mirëpo nuk është paraqitur për seancë.

Andaj, tha se gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, por dëshmitari u paraqit pas më shumë se 1 orë dhe tha se kishte gabuar kohën kur do të duhej të paraqitej për këtë seancë.

Gjykatësja njoftoi palët se kishte kontaktuar Policinë e Kosovës për lëshimin e urdhëresës ndaj tij, mirëpo më pas është njoftuar nga Policia e Kosovës se kanë komunikuar përmes telefonit me dëshmitarin dhe se i njëjti është duke ardhur në gjykatë.

Për këtë seancë ishte ftuar edhe dëshmitari Artim Gashi, mirëpo i njëjti nuk u paraqit për dhënien e dëshmisë së tij.

Për dëshmitarin Gashi, gjykata nuk kishte prova nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt pasi që nuk është kthyer fletëkthesa.

Seanca pritet të vazhdojë pasdite me dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. 

Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë. /BetimipërDrejtësi/

Go to TOP