Kosova

Gjykatat e prokuroritë me kapacitete të reduktuara, ka të infektuar

Më shumë se një muaj pasi sistemi i drejtësisë iu rikthye punës me kapacitete të plota, prokuroritë dhe gjykatat sërish kanë reduktuar punën.

Institucionet i janë rikthyer planit emergjent për menaxhimin e krizave, duke zvogëluar dukshëm stafin.

Kjo, sipas Bahri Hysenit, është bërë pasi që ka edhe prokurorë e shumë zyrtarë të prekur nga COVID-19 edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por edhe në prokuroritë e tjera themelore.

Megjithatë, sipas Hysenit, situata është e menaxhueshme, dhe përveç rasteve urgjente prokuroritë do t’i trajtojnë edhe lëndët e tjera në rastet kur zyrtarët do të kenë mundësi.

Ndërsa në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndonëse është reduktuar stafi administrativ dhe teknik, seancat gjyqësore do të mbahen bazuar në vlerësimet e vetë gjyqtarëve, raporton KOHA.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë se të hënën janë anuluar disa seanca për shkak të mosplotësimit të kushteve, derisa në Departamentin për çështje civile po vazhdon mbajtja e disa seancave.

Derisa kjo gjykatë është duke shqyrtuar mundësinë e pezullimit të të gjitha seancave përveç rasteve të natyrës urgjente, siç janë rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe masat e sigurisë.

“Ju njoftojmë se trupa menaxhuese e Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në rekomandimet e IKShP-së dhe situatën e krijuar, javën e kaluar ka vendosur që të reduktojë stafin administrativ dhe teknik, ndërsa seancat gjyqësore do të mbahen duke vlerësuar vetë gjyqtarët nëse ekzistojnë kushtet për mbajtjen e tyre, duke pasur parasysh numrin e pjesëmarrësve në seancë, mundësinë e mbajtjes së distancës fizike dhe kushtet e tjera të përcaktuara në planin emergjent të aprovuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sot kanë filluar të anulohen seancat në rastet ku nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e tyre, duke pasur parasysh numrin e pjesëmarrësve në seancë dhe mundësinë e mbajtjes së distancës fizike, po ashtu janë anuluar seancat në ato raste ku gjyqtarët janë konfirmuar me Covid-19 dhe në rastet ku një numër i gjyqtarëve janë me simptoma dhe janë në pritje të rezultateve të testit, ndërsa në Departamentin e përgjithshëm-Divizioni për çështje civile janë duke u mbajtur disa seanca gjyqësore, në ato raste ku janë duke u plotësuar kushtet për mbajtjen e seancave. Gjykata Themelore në Prishtinë bazuar në gjendjen e krijuar është duke shqyrtuar marrjen e vendimit për pezullimin e gjitha seancave përveç rasteve të natyrës urgjente, siç janë rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe masat e sigurisë”, ka thënë Gashi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjithashtu i ka udhëzuar kryetarët e gjykatave të Kosovës që të fillojnë punën bazuar në planin emergjent për menaxhim krizash duke reduktuar stafin dhe punën në gjykata.

“Situata nëpër gjykatat e vendit lidhur me pandeminë tani për tani është nën kontroll, përndryshe KGjK- ja ka autorizuar të gjithë kryetarët e gjykatave që të fillojnë të punojnë duke u bazuar në Planin emergjent për menaxhim krizash të miratuar nga KGjK-ja. Duke u bazuar në këtë plan emergjent për menaxhim krizash të miratuar nga KGjK-ja, kryetarët e gjykatave sipas nevojës dhe vendimeve të organeve kompetente që janë duke u marrë me menaxhimin e pandemisë COVID -19, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe reduktimin e stafit”, ka thënë Aishe Qorraj nga KGjK-ja.

Gjykata Themelore në Gjakovë gjithashtu ka njoftuar se bazuar në rekomandimet e IKShPK-së ka reduktuar stafin administrativ në 50 %.

Avokatët thonë se anulimi për një kohë të gjatë i seancave do të rëndojë edhe më shumë punën dhe do të rrisë numrin e lëndëve të pakryera.

Që nga muaji mars për dy muaj rresht gjykatat në Kosovë kishin punuar vetëm me kapacitete të kufizuara duke trajtuar vetëm lëndë të natyrës urgjente.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483