Kosova

Gjykata vendosi për aktakuzën e rastit ‘Stenta’ ndaj Ferid Aganit

Gati dy vjet pasi ishte ngritur aktakuza, Gjykata Themelore e Prishtinës, për herë të dytë refuzon kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesave për hedhje të aktakuzës.

Gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri, ka refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Nikë Shala.

“Gjykata ka refuzuar kundërshtimet tona për herë të dytë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit kur ka kthyer çështjen në rivendosje kishte kërkuar që të vlerësohet afatshëmria e ngritjes së aktakuzës”, tha Shala.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ata  ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në seancën fillestare të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Në këtë seanca gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri kishte bërë të ditur se ka veçuar rastin e njohur si “Stenta”, në tri pjesë të ndryshme për qëllim te menaxhimit më të lehtë.

Gjykata Themelore, aktakuzën kundër ish-ministrit Agani dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Stenta” e kishte konfirmuar edhe në korrik të vitit të kaluar, mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje.

Aktakuza në rastin “Stenta”, ishte ngritur në qershor të vitit 2016.

Në këtë rast të akuzuar janë r janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij aktakuze ishin edhe  ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.