Gjykata vendos në favor të klubeve themeluese të Superligës Evropiane, Real Madridi shprehet i kënaqur

Klubi më i trofeshëm në botë, Real Madridi, përmes një komunikate për media ka thënë se ata së bashku me Barcelonën dhe Juventusin e mirëpresin vendimin e sotëm të Gjykatës, ku thuhet se me efekt të menjëhershëm, duhet zbatuar detyrimin e UEFA-s për t’i tërhequr veprimet e ndërmarra kundër të gjitha klubeve themeluese të Superligës Evropiane, përfshirë këtu edhe përfundimin e procedurave disiplinore kundër tri klubeve nënshkruese.

“Gjykata mbështet kërkesën e bërë nga promovuesit e Superligës Evropiane, hedh poshtë ankesën e UEFA-s dhe konfirmon paralajmërimin e saj për UEFA se mosrespektimi i vendimit të saj do të rezultojë në gjoba dhe përgjegjësi të mundshme penale. Çështja do të vlerësohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, e cila do të rishikojë pozicionin monopolistik të UEFA -s mbi futbollin evropian”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Real Madridi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se Real Madridi ka për detyrë që të adresojë çështjet serioze më të cilat përballet futbolli.

“UEFA është vendosur si rregullatori i vetëm, operatori ekskluziv dhe pronar unik i të drejtave të garave evropiane të futbollit. Ky pozicion monopolistik, në konflikt interesi, po dëmton futbollin dhe balancën e tij konkurruese”.

Klubi spanjoll shprehet i kënaqur që në të ardhmen nuk do të jenë subjekt siç i kanë quajtur ata kërcënimeve të vazhdueshme të UEFA-s.

“Qëllimi ynë është të vazhdojmë zhvillimin e projektit të Superligës në një mënyrë konstruktive dhe bashkëpunuese, gjithmonë duke u mbështetur në të gjithë aktorët e futbollit: tifozët, lojtarët, trajnerët, klubet, ligat dhe shoqatat kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Real Madridi.

Go to TOP