Kosova

Gjykata qe 20 muaj s’ka mbajtur asnjë seancë në rastin e Ukë Rugovës

Rreth 20 muaj kanë kaluar prej kur Gjykata Themelore në Prishtinë ka arritur për herë të fundit të përfundojë seancën gjyqësore kundër ish-deputetit të LDK-së, Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Astrit Haraqija, dhe 19 të tjerëve, të akuzuar për shitblerjen e vizave italiane.

Të premten u bë përpjekja e parë pas afro pesë muajsh kur ishte tentuar të mbahet një seancë gjyqësore për këtë rast, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sikurse edhe në të kaluarën arsyet se pse ka dështuar seanca e së premtes lidhen me mungesën e një pjesë të të akuzuarve. Ligjërisht një seancë gjyqësore nuk mund të mbahet përderisa nuk janë në sallë të gjithë të akuzuarit. Pesë të akuzuarit që kanë munguar në këtë seancë janë: Florjan Petani, Adem Koskoviku, Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, për tre të akuzuarit nuk ka arsyetim mospjesëmarrja në seancë.