Gjykata pritet të vendosë mbi masën e paraburgimit për të dyshuarin për rrjedhjen e dokumenteve sekrete të Pentagonit

Një gjykatës në Uster, pritet të marrë sot vendim nëse punonjësi i Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusetsit, Jack Teixeira, i akuzuar për rrjedhjen e dokumenteve ushtarake tejet sekrete, do të qëndrojë pas hekurave në pritje të gjykimit të tij.

Prokurorët kanë kërkuar që 21-vjeçari të qëndrojë në burg derisa gjykata të dalë me një vendim të formës së prerë.

Zoti Teixeira, akuzohet se ka shpërndarë dokumente sekrete ushtarake rreth luftës së Rusisë në Ukrainë, në platformën ‘Discord’, e cila përdoret për lojra online. Ndaj tij rëndojnë edhe të tjera akuza që lidhen me çështje të sigurisë kombëtare.

Sipas dokumenteve të gjykatës, prokurorët kanë vënë në dukje se disa muaj përpara arrestimit të tij në muajin prill, zoti Teixeira ishte kapur nga eprorët e tij, duke marrë shënime mbi informacione të klasifikuara apo duke parë informacione që nuk kishin lidhje me punën e tij.

Sipas dokumenteve të brendshme të Gardës Kombëtare Ajrore, të depozituara në gjykatë, ai ishte këshilluar dy herë nga eprorët në shtator dhe tetor, dhe ishte kapur në muajin shkurt, duke parë informacione “që nuk kishin lidhje me detyrën e tij, e që kishin të bënin me fushën e zbulimit”. 

Rasti ka ngritur pikëpyetje se përse zoti Teixeira u la të vazhdonte të kishte qasje tek sekretet ushtarake edhe pas konstatimit të këtyre veprimeve nga ana e tij. 

Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh u pyet të enjten se pse eprorët e zotit Teixeira, nuk kishin marrë masa ndaj tij edhe pas ngritjes së këtyre shqetësimeve. Ajo tha se kjo çështje ishte pjesë e hetimit që po kryehen Departamenti i Drejtësisë dhe Forcat Ajrore.

Ky rast përbën rastin më të rëndë të rrjedhjes së informacionit të klasifikuar ndër vite. 

Çështja po ndiqet penalisht nga zyra e prokurorit të Masaçusetsit, drejtuesja e së cilës, prokurorja Rachael Rollins, pritet të japë dorëheqjen deri në fund të ditës së sotme, pas gjetjeve të konstatuara nga dy agjenci mbikëqyrëse federale, se ajo ka kryer një mori shkeljesh etike e ligjore.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e zotit Teixeira, duke vënë në dukje se ai nuk u arratis edhe kur mediat filluan të publikojnë emrin e tij, pak përpara arrestimit më 13 prill. Avokati i tij i tha gjykatësit muajin e kaluar se zoti Teixeira “do t’u përgjigjet akuzave” si dhe “do të gjykohet nga bashkëqytetarët e tij”.

Avokatët vunë gjithashtu në dukje se ka pasur shumë raste qe lidhen me shkeljen e Aktit të Spiunazhit, në të cilat gjykatat kanë vendosur ta lirojnë të pandehurin dhe që prokuroria, nuk ka kërkuar ta mbajë personin e akuzuar, pas hekurave. 

Gjatë seancës dëgjimore të muajit të kaluar, prokurorët i thanë gjykatësit se zoti Teixeira kishte në banesë një arsenal armësh dhe një historik komentesh të dhunshme e shqetësuese.

Prokurorët kanë thënë gjithashtu se vite më parë ku ai ishte në shkollë të mesme, zoti Teixeira u pezullua, pasi një shok klase e kishte dëgjuar tek diskutonte për kokteje me molotov e armë të tjera, e hidhte kërcënime me bazë racore. Hetuesit thonë se zoti Teixeira ishte drejtues i një grupi privat online, i quajtur ‘Thug Shaker Central”, anëtarët e të cilit luanin në faqen sociale ‘Discord’. Ata bënin diskutime mbi llojet e preferuara të armëve, shpërndanin meme me përmbatje sarkastike si dhe diskutonin vazhdimisht mbi luftërat, mes tyre edhe agresionin rus në Ukrainë. 

Dokumentet që rrodhën në mediat sociale, dyshohet se përmbanin detaje mbi ndihmën amerikane dhe të NATO-s për Ukrainën si dhe informacione të zbulimit amerikan në lidhje me vendet aleate. 

Disa prej dokumenteve që i takojnë periudhës shkurt-mars, tregojnë detaje të pozicioneve në fushëbetejë të trupave të Ukrainës dhe Rusisë, si dhe numrat e saktë të pajisjeve luftarake të shkatërruara në fushëbetejë, si dhe furnizimet e reja që do të merrte Ukraina nga aleatët e saj.

Go to TOP