Kosova

Gjuha akuzuese mes presidentit dhe kryeministrit në detyrë, destabilizuese dhe e panevojshme

Gjuha e komunikimit të presidentit Hashim Thaçi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është duke u cilësuar e papërgjegjshme nga njohës të zhvillimeve në vend.

Thaçi e Kurti janë përplasur në distancë të mërkurën mbrëma, transmeton KOHA.

Shkak i përplasjes së tyre është bërë vizita disaorëshe e kreut të shtetit në Shqipëri, e cila, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është bërë duke shkelur protokollin.

Sipas Donika Eminit, tensionet mes krerëve të shtetit mund të ndikojnë në destabilizim të situatës në vend.

Në anën tjetër, ashpërsimin e gjuhës mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti, Rrahman Paçarizi e sheh si të panevojshëm.

Nga oborri i Qeverisë e Kuvendit, ndaj diskutimit të Thaçit e Kurtit, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në reagimin ndaj ministrit të Brendshëm, presidenti Hashim Thaçi në një emision televiziv, Lëvizjen Vetëvendosje e quajti “grup të organizuar kriminal”, derisa ministrin Sveçla e kryeministrin Kurti, “njerëz të çoroditur”.

Ndaj deklaratës së Thaçit, në Facebook ka reaguar kryeministri Albin Kurti. Ai ftoi presidentin në debat televiziv, duke thënë se me vete, përveç ministrin e Brendshëm, do ta marrë edhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, ndërkohë Thaçit i ka propozuar ta marrë me vete Behgjet Pacollin.