Kosova

Gjuetia ilegale rrezikon zhdukjen e shumë kafshëve

Institucionet nuk kanë një regjistër të mirëfilltë të numrit të llojeve të ndryshme të kafshëve të egra në Kosovë.

Por gjuetia legale e ilegale është duke vazhduar, dhe kjo nga aktivistë që merren me këtë fushë vlerësohet si shkatërruese për specie të caktuara, raporton KOHA.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Era”, Fatos Lajçi, ka thënë se duhet të bëhet një studim se cili është numri i llojeve të ndryshme të shtazëve të egra.

“Pra, ne nuk e dimë a ekziston në Kosovë një kaproll apo tre mijë, nuk e dimë a ekziston një dhi e egër apo tre mijë dhi të egra. Sipas studimeve tona, në Bjeshkët e Nemuna dhia e egër është buzë shkatërrimit përfundimtar si pasojë e gjuetisë ilegale, ku autoritetet janë inekzistente sa i përket gjuetisë”, ka thënë Fatos Lajçi, drejtor i organizatës joqeveritare “Era”.

E se nuk ka një regjistër të llojeve të rrezikuara e thonë edhe në Federatën e Gjahtarëve të Kosovës.

“Nuk kemi të tjera të dhëna, sepse për të qenë të sakta, është dashur të bëhet një inventarizim në nivel të Kosovës, që është dashur të bëhet nga Ministria e Bujqësisë. Mirëpo ajo është edhe kushtueshme edhe po has në vesh të shurdhër, nuk po kanë interesim që ta bëjnë një inventarizim të mirëfilltë në mënyrë që të kemi një numër tek i cili mund të orientohemi për shumë vite”, ka deklaruar Enver Hiseni, sekretar i Federatës së Gjahtarëve të Kosovës.

Sezoni i kaluar i gjuetisë ishte mbyllur me vendim të ministrit Besian Mustafa, me arsyetimin se ka zvogëlim të numrit të kafshëve të egra, derisa këtë vit Ministria nuk ka nxjerrë një vendim për hapje të sezonit.

Sipas ministrisë hapjen dhe kohëzgjatjen e sezonit të gjuetisë sipas Ligjit, mund ta bëjë vetëm Ministri i Bujqësisë me vendim dhe assesi ndonjë organ apo institucion tjetër.

Por kjo nuk i ka penguar disa menaxherë të vendgjuetive që të shpallin të hapur sezonin. Një gjë e tillë ka ndodhur në Kamenicë, Malishevë e Suharekë.

Drejtori i kompanisë “Arborgrup” që menaxhon vendgjuetinë në Kamenicë, Granit Berisha, ka thënë se vendimet e Ministrisë për hapje dhe mbyllje të sezonit janë shpallur të paligjshme nga gjykata.

“Vendimi i Ministrisë për hapje dhe mbyllje të sezonit të gjuetisë ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Gjuetisë, e sidomos me Udhëzimin administrativ për sezonin e gjuetisë, prandaj i njëjti është konsideruar nga gjykata si i jashtëligjshëm”, ka thënë Granit Berisha, drejtor i kompanisë “Arborgrup” që menaxhon vendgjuetinë në Kamenicë.

Sipas Udhëzimit administrativ për sezonin e gjuetisë, i nxjerrë në vitin 2007, lloje e rralla dhe të rrezikuara si: dreri, kaprolli, dhia e egër, si dhe llojet e kafshëve përherë të mbrojtura janë të ndaluara për gjueti.