SHËNDETËSIA

Gjonbalaj: Kosova ka nevojë për mjekë, por ka edhe shumë mjekë të papunësuar

Zëvendëskryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Naser Gjonbalaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë mjekë, ndërsa ka shtuar se ka shumë mjekë të papunë, e shifër shqetësuese është edhe numri i mjekëve të punësuar apo të papunësuar që po largohen nga Kosova.

Në Express Intervistën në KTV, Gjonbalaj ka bërë të ditur se bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit, Kosovës i duhen më shumë mjekë. Ai ka thënë se Kosova i ka 4300 mjekë aktualisht, ndërsa 544 janë të papunë.

“Edhe ka shumë nevojë për mjekë edhe ka të papunë”, ka thënë ai duke shtuar se ky është problem kompleks në gjithë zinxhirin institucional.

Sipas tij, vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019, 105 mjekë kanë kërkuar në Odën e Mjekëve të Kosovës letër-referencë për t’u punësuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Si problem që çon në kërkesën për largim nga Kosova nuk është vetëm paga e ulët, sipas Gjonbalajt.

“Jo vetëm paga, por edhe kushtet e punës, gjetja e një vendi pune. Të gjitha të gërshetuara. Kemi kërkesa për largim edhe nga specialistët, kjo është më e keqja. Ata kanë vend pune e po dalin. Masa më e madhe është aty. Është kërkesë edhe për në Angli, por tregu gjerman është i pari”, ka thënë ai duke shtuar se kërkesa për largim vijnë nga mjekët në të tri nivelet e sistemit shëndetësor.

Mungesa e një zgjidhjeje për zëvendësimin e menjëhershëm të mjekëve që pensionohen, apo specialistëve, Gjonbalaj ka thënë se mund të çojë në fuzionim të reparteve në sisteme të caktuara shëndetësore.

“Është problem kadrovik që duhet rregulluar. Në kushte të tilla pune është punuar vazhdimisht, por gjithmonë hajt se do të rregullohet. Por këto përmirësime po zgjasin. Jo vetëm paga, por edhe kushtet e punës. Ofrimi i shërbimeve vjen nga një sërë faktorësh, jo vetëm mjeku e infermieri, por një zinxhir i tërë që e bën më të mirë shërbimin. Lëvizja e migrime ka pasur e do të ketë, por te mjekësia është vënë re sepse ka nevojë. Duhet përmirësuar kushtet. Kemi kërkuar të kemi ligj, kemi për pacientin, por jo për punëtorin shëndetësor. Po punojmë për një ligj për profesionistët, cilat janë të drejtat dhe obligimet. Do të dihej ku është problemi. Cilat janë obligimet e profesionistit ndaj pacientit. Kjo është ndërthurja”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Ligji për Paga ka stopuar pak ikjen e mjekëve nga Kosova, por ka thënë se kushtet që u ofrohen në Gjermani janë larg nga ato që u ofrohen për mbijetesë në Kosovë.

Gjonbalaj ka thënë se s’ka pasur rast të keqpërdorimit të vulës unike të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës duke shtuar se më së shumti ka raste të mospërdorimit të saj. Ai ka thënë se kjo odë e ka të vështirë shtrirjen e funksionimit në veri të Kosovës duke thënë se ka stopim të bashkëpunimit me mjekët nga komuniteti serb.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.