SPORT

Gjithçka që duhet të dini për meçin e dytë mes Wilderit e Furyt

Boksierët Tyson Fury e Deontay Wilder do të përballen të dielën gati 15 muaj pas barazimit kontrovers që ua la të hapur boksierëve mundësinë e rimeçit.

Biletat në Las Vegas po kushtojnë mijëra dollarë, me boksierët që përmes fjalëve kanë shtuar zhurmën rreth meçit.

Mes gjithë kaosit të fjalëve, zhurmës e showit është titulli i botës WBC që mbahet nga Wilderi 34-vjeçar. Nëse britaniku Fury 31-vjeçar e fiton këtë herë meçin, të katër titujt e peshave të rënda do t’iu takonin britanikëve – atij dhe Anthony Joshuas që mban titujt IBF, WBA dhe WBO.

Meçi me Wilderin favorit nis rreth orës 6 të mëngjesit të së dielës.

Të premten të dy boksierët patën matjet zyrtare dhe u përplasën me njëri tjetrin. Boksieri amerikan Wilder peshoi 104 kilogramë – më së shumti në karrierë deri tash. Fury ishte gati 20 kilogramë më shumë se ai. Për Furyn pesha prej 123 kilogramëve nuk ka qenë e pranishme që nga rikthimi i tij më 2018.

Shumë pak bileta kanë mbetur në dispozicion për t’u porositur për të parë nga afër meçin që zhvillohet në MGM Grand Garden Arena, me çmimet që kalojnë nga 425 dollarë deri në 10 mijë.

Fansat mund të paguajnë 100 dollarë për të parë në ekran në rrugën e famshme “Las Vegas Strip”. Për ta parë në shtëpi në SHBA duhet të paguajnë 75 dollarë. Nëse organizatorët shesin dy milionë abonime për këtë meç, siç po pretendojnë, shifra prej 150 milionë dollarëve do të arrihet vetëm me transmetim.

Sa i përket përfitimeve për boksierët, të dy do të përfitojnë shifra marramendëse. Kjo do të jetë ndeshja më e madhe në vitet e fundit, me boksierët që secili do të përfitojnë dhjetëra miliona dollarë. Sipas Furyt, ky do të jetë meçi më i madh në 50 vjetët e fundit. Këtë deklaratë e përforcon fakti që të dy janë të pamposhtur në karrierën e tyre të deritashme. Fury ka 30 meçe të zhvilluara, 29 fitore e një barazim, ndërsa Wilderi ka 42 fitore dhe barazimin me Furyn para 15 muajsh.

Fury do të ishte kampion bote tashmë, sikur të mos rrëzohej në raundin e 12-të të meçit më 2018. Atë kohë kishte thënë se bërë shaka me ekipin e Wilderit duke thënë se ishte i mbaruar, e se kishte probleme personale dhe me peshë pas pushimit prej 30 muajsh që kur kishte mposhtur Wladimir Klitschkon më 2015 për të marrë titujt IBF, WBA dhe WBO. Më pas humbi tre titujt jashtë ringut – pas telasheve me të cilat po përballej. Një fitore e tij të dielën, do të kompletonte rikthimin e madh.

Në anën tjetër, Wilder po tenton ta mbrojë titullin për herë të 11-të. Nëse e bën këtë, ai tejkalon Muhammad Alin me serinë më të mirë si kampion.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483