Kosova

Gjini thotë se edhe në Gjakovë nuk hapen çerdhet nesër

Njoftimi i Qeverisë për hapjen e çerdheve nga 1 qershori i ka zënë shumë komuna të papërgatitura.

Disa prej tyre kanë njoftuar se ato nuk mund të hapen nesër, e ndër to është edhe Gjakova.

Kryetari i kësaj komune përmes një postimi në Facebook, vendimin për hapjen e çerdheve e ka quajtur të pakuptimtë.

“Në komunën e Gjakovës nuk mund të hapen kopshtet nesër. Vendimi i qeverisë i datës 31 Maj (e dielë) që kopshtet të hapen me datën 1 Qershor (e hënë) është nonsens. Në kopshte fëmijët ushqehen dhe pastrohen. Nuk mund të bëhen përgatitjet për të hënën në mëngjes kur lajmi jepet të dielën në ora 22:00”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, derisa ka njoftuar se nesër do të fillojnë përgatitjet për hapjen sa më të shpejt të tyre, siç ka thënë ai, me masat e duhura të sigurisë.