Kombëtare

Gjini: Shqetësuese, për dy ditë janë shfaqur mbi 80 zjarre në Gjakovë

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me zjarrin që ka kapluar sot supermarketin “Viva Fresh”, në qendër të këtij qyteti.

Gjini përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është shumë e papërgjegjshme sjellja e individëve që rrezikojnë jetën e qytetarëve, duke shtuar se rastet e zjarreve janë shtuar në Gjakovë.

“Sot në Gjakovë ra zjarr në njërin ndër objektet e mëdha në qendër të qytetit, në qendrën tregtare Viva Fresh. Edhe pse dëmet materiale duket se janë të mëdha, fat i mirë është se nuk ka pasur viktima në njerëz.  Në ndërkohë, në komunën e Gjakovës në 36 orët e fundit janë shfaqur mbi 80 zjarre kryesisht në male dhe fusha. Është tejet e papërgjegjshme sjellja e individëve të caktuar, të cilët duke gjetur mënyra brutalisht të papërshtatshme të punëve në fusha, e vëjnë në rrezik jetën e njerëzve, pasurinë publike dhe i shkaktojnë dëme të pariparueshme mjedisit jetësorë”, tha Gjini.

“I falënderoj tej-mase zjarrfikësit e brigadës së Gjakovës të cilët tanimë me ditë të tëra, jashtë çdo parashikim dhe me vetëmohim maksimal po përballen me zjarret e shkaktuara nga njerëz skajshëm të papërgjegjshëm”.

Ndër tjera ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta ndërpresin zjarr-vënien në fusha sepse dëmet mund të jenë të pariparueshme. E falënderoj po ashtu policinë e Kosovës për reagim tejet profesional dhe vetëmohues.

“Në të njëjtën kohë, iu bëj thirrje të gjitha organeve të rendit që me rigorozitetin më të madh t’i hetojnë të gjithë ata që e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pasurinë qoftë publike qoftë private”, ka shkruar Gjini./Telegrafi/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483