Kombëtare

Gjini e quan “temë koti” kundërshtimin e murit rreth parkut në Gjakovë

Ka dy javë që banorët e lagjes “Gecë” në Gjakovë përballen me këtë gjendje.

Ky mur është duke u ndërtuar rreth Parkut të Lirisë dhe banorët nuk kanë asnjë informacion se për çka po ndërtohet, raporton KTV.

Banorët, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, i kanë treguar televizionit se kanë drejtuar ankesa te kryetari i komunës, dhe kanë kërkuar sqarime se për çka do shërbejë ky mur, por nuk kanë marrë përgjigje.

Sipas tyre, kryetari i komunës vetëm u ka thënë se ai mur do të ndërtohet edhe nëse nuk pajtohen banorët.

Në mbështetje të banorëve të kësaj pjese ka dalë edhe opozita e kësaj komune.

Ngadhënjim Haxhosaj nga Lëvizja Vetëvendosje tregon se së bashku me banorët shumë shpejt do të organizojnë një protestë në kundërshtim të kësaj.

Ndërkaq, kur është pyetur kryetari i komunës, Ardian Gjini, se për çfarë arsye është duke u ndërtuar muri, ai ka thënë se kjo është temë koti.

Një përfaqësuese e kompanisë e cila ka bërë hartimin e planit për këtë lagje, ka thënë se kompania projektuese nuk ka paraparë një mur të tillë, dhe ndërtimi i tij u duket i çuditshëm.

Me një mur të tillë është duke u rrethuar edhe tyrbja, e cila gjendet në afërsi të parkut.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.