INTERVISTA

Gjini-Beeley: Brengosëse përhapja e variantit të ri të koronavirusit

Përqindja e personave me variantin e ri të koronavirusit po rritet shumë shpejt dhe kjo ka shkaktuar brengosje, thotë një një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dr. Ardiana Gjini-Beeley, specialiste e shëndetit publik në Britaninë e Madhe, njëherësh ligjëruese për shëndetin publik në University of Cardiff.

Ajo thotë se simptomat e këtij varianti janë të njëjta me atë paraprak, derisa përhapja e tij është dukshëm më e shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë dihet deri më tash për variantin e ri të koronavirusit, i zbuluar në Britani të Madhe, por i përhapur edhe në disa vende evropiane?

Ardiana Gjini-Beeley: Deri më tani studimet laboratorike-virologjike po tregojnë se ky mutacion në virus ka shkaktuar një aftësi të virusit për t‘u shpërndarë më lehtë dhe më shpejt se virusi i rëndomtë. Ky variant ka ndryshuar një prej proteinave në sipërfaqen e virusit dhe kjo po shkakton si duket një shpërndarje më të shpejtë. Deri tash, në disa rajone të Mbretërisë së Bashkuar kemi një përqindje të konsiderueshme të individëve të infektuar me variantin e ri të koronavirusit. Ajo çfarë po na bën më të vëmendshëm dhe është më brengosëse është fakti se kjo përqindje e individëve me këtë koronavirus po rritet shumë shpejt.

Domethënë varianti i ri i koronavirusit po dominon në epidemiologjinë e koronavirusit në Mbretërinë të Bashkuar, në ato vende ku ka shkaktuar një shpërthim më të madh. Nuk e dimë se sa është në të vërtetë përqindja e rasteve me këtë virus, mirëpo situata po monitorohet shumë afër.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë dihet deri më tash në lidhje me simptomat e këtij varianti të koronavirusit. A ka ndonjë ndryshim?

Ardiana Gjini-Beeley: Sa i përket paraqitjes klinike të sëmundjes që koronavirusi shkakton, nuk ka ndryshuar deri tash. Nuk kemi të dhëna se paraqitja klinike e sëmundjes është ndryshe nga virusi i rëndomtë. Janë simptomat klasike, të njëjta. Ajo çfarë ka ndryshuar është shpejtësia e përhapjes, kurse pasqyra klinike jo.

Radio Evropa e Lirë: Në lidhje me testimin, a përdoret infrastruktura e njëjtë për testimin e variantit të ri të koronavirusit?

Ardiana Gjini-Beeley: Pyetje shumë me vend dhe e rëndësishme. Mostrat që merren nga fyti apo nga hunda janë të njëjta, mostra nuk ka ndryshuar. Testimi për të parë se a është antigjen bartës është i njëjti: PCR. Por, për të vërtetuar apo për të bërë sekuentimin gjenomik, ato mostra i nënshtrohen një analize shtesë. Jo të gjitha mostrat i nënshtrohen kësaj analize.

Ne, përshembull, në monitorimin e epidemiologjisë, përkatësisht unë në punën time, kërkoj këtë analizë shtesë të ndonjë shpërthimi më kompleks ose kur dua të shikoj nëse një shpërthim në një lokacion a është i lidhur me raste tjera gjetiu, atëherë unë kërkoj që laboratori të bëjë analizën shtesë.

Tash kur kemi vërejtur se kemi një përqindje në rritje të të infektuarve me këtë variant të ri me koronavirus, po zhvillojmë një qasje të “testimit sipas përzgjedhjes”, me qëllim që ta monitorojmë në mënyrë sa më të gjerë se si po shkon epidemiologjia e koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë: Edhe pse shumë herët të dihen detaje, megjithatë a ka informacione çfarë e dallon në përhapje këtë variant të ri të koronavirusit? Cili është roli i maskës mbrojtëse dhe distancës fizike, a ka të dhëna?

Ardiana Gjini-Beeley: Edhe një pyetje shumë me vend. Unë kam kërkuar më shumë informacione për ekipet e divizionit tim të ekzaminimit kundër kancerit, e cila është puna ime në situata normale, kur nuk kemi pasur COVID-19, nëse ka ndonjë ndryshim të mbajtjes së pajisjeve personale mbrojtëse.

Paraqitja e variantit të ri të koronavirusit nuk e ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes. Pra, virusi shpërndahet në të njëjtën mënyrë, përmes ajrit, spërklave të pështymës dhe në të njëjtën kohë mbajtja e pajisjeve për mbrojte personale nuk ka ndryshuar. Ne nuk kemi ndryshuar udhërrëfyesit për personelin mjekësor, se çfarë pajisje mbrojtëse duhet të mbajnë dhe në çfarë situata. Të gjitha këto janë tash për tash. Bazuar nga ajo që dimë dhe po veprojmë tani, pra e hënë 21 dhjetor. Kjo mund të ndryshojë, por tash për tash duket se nuk do të ketë ndonjë ndryshim.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim për vaksinën kundër koronavirusit, si po shkon procesi i vaksinimit në Britaninë e Madhe?

Ardiana Gjini-Beeley: Për fat të mirë procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë. Është një prej programeve që është mirëpritur shumë gjerë nga profesionistët shëndetësorë të të gjitha niveleve dhe popullata, e cila tash është në fokus të vaksinimit. Këtu përfshihen të moshuarit mbi 85 vjeç, banorët e shtëpive të pleqve dhe punëtorët shëndetësorë.

Vaksinimi me vaksinën e Pfizer/BioNTech ka sfidat e veta. Është një vaksinë efikase, mirëpo është mjaft e brishtë. Prandaj, vaksinimi deri më tash fokusohet në qendrat e mëdha, ende nuk kemi vaksinim në ambulanta të vogla lokale, pasi kjo vaksinë kërkon një mirëmbajtje shumë specifike.

Radio Evropa e Lirë: Shumë ekspertë kanë thënë se vaksina aktuale kundër koronavirusit mbase mund të luftojë edhe variantin e ri të virusit. Megjithatë, cilat mund të jenë rreziqet që mund të dalin ndërkohë?

Ardiana Gjini-Beeley: Viruset modifikohen dhe pësojnë mutacione gjatë gjithë kohës. Jetëgjatësia e virusit është shumë e shkurtër, domethënë ata shumëzohen shumë shpesh. Gjatë shumëzimit, nëpër të gjitha qeniet e gjalla, ADN-ja (acidi dezosiksironubleik) pëson mutacione. Këto vërehen më shumë në virusë për shkak se ata shumëzohen shumë më tepër dhe janë më të adaptuar që të ndryshojnë ADN-në për të përfituar vetë.

Ky mutacion, është një prej mutacioneve të shumta që koronavirusi i ri ka përjetuar që prej fillimit të pandemisë, mirëpo duket se po vazhdon me një sukses më të madh se mutacionet tjera. Tash për tash, nuk kemi të dhëna dhe ndonjë shqetësim të rëndësishëm se mund të ndryshojë paraqitjen si antigjen në sistemin imunitar të njerëzve, domethënë ato materiale gjenetike që janë marrë për të krijuar acidin ribonuklerik ARN me memorie, që është pjesë e vaksinës së Pfizerit, për të nxitur imunitetin në qelizat tona imunitare, nuk janë të prekur nga ky mutacion gjenetik. Kjo është sa dimë tash për tash. Nuk kemi ndonjë brengosje thelbësore se kjo do të ndryshojë. Mirëpo, monitorimet janë shumë të afërta, studimet janë të vazhdueshme, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë po monitoron situatën nga afër dhe do të jemi në gjendje të reagojmë.

Radio Evropa e Lirë: Një pyetje të fundit. Si specialiste e shëndetit publik, si i vleresoni masat kundër pandemisë që janë ndërmarrë në Kosovë. A janë të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit?

Ardiana Gjini-Beeley: Secila qeveri i kërkon dhe adapton masat parandaluese, mbrojtëse dhe reaguese në bazë të kontekstit të përgjithshëm të vendit dhe shoqërisë. Nuk është vetëm epidemiologjia ajo që e udhëheq politikën shëndetësore, por në këtë rast është një ndër komponentët më të rëndësishme.

Epidemiologjinë e cakton një mori faktorësh, por tre janë kryesorë: agjenti – që është virusi, nikoqiri – njeriu dhe ambienti.

Prej këtyre tre faktorëve, në Kosovë dy prej tyre janë më të ndryshëm sesa ta zëmë në Mbretërinë e Bashkuar, ata janë: nikoqiri dhe ambienti. Kjo, për faktin se demografia e Kosovës është shumë më ndryshe se shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, ne kemi një popullatë më të re. Kjo, në këtë pandemi ka qenë përparësi për Kosovën pasi shkalla e sëmundshmërisë së rëndë te personat në moshë të re është shumë më e ulët sesa te personat me moshë të shtyrë. Ambienti po ashtu është shumë ndryshe, pasi në Kosovë nuk kemi grumbullime të njerëzve në moshë të shtyrë sikurse kemi në Evropën Perëndimore, siç janë shtëpitë e pleqve ku jetojnë me dhjetëra banorë.

Pastaj, nuk ka grumbullime të popullatës sikurse në vendet Perëndimore, për shembull, në stacione treni dhe stacione tjera ku çdo ditë grumbullohen me dhjetëra-mijëra njerëz dhe shumë elemente tjera që krijojnë ambient më të përshtatshëm për përhapjen e koronavirusit. Këto janë dy elemente me përparësi për Kosovën.

Ajo që nuk shkon në favor të Kosovës është sistemi shëndetësor që është natyrisht më i ndjeshëm sesa sistemet e zhvilluara në vendet e Evropës Perëndimore. Unë si profesioniste që po merrem me kontrollin e COVID-19 kisha preferuar që Qeveria e Kosovës të kishte marrë masa parandaluese më të qarta, sidomos tash para Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. ​