SPORT

Gjimshiti vlerëson se me Atalantan çdo gjë është e mundur

Më 11 dhjetor Atalanta fitoi 3:0 si mysafir I Shakhtar Dontezkut, duke siguruar kështu në pjesëmarrjen e saj të parë në Ligën e Kampionëve edhe kalimin në 1/8 e finales të kësaj gare.

Kualifikimi i Atalantas erdhi edhe më befasishëm duke marrë parasysh se pas tri ndeshjeve të para, klubi italian ishte pa pikë dhe kishte një goldallim prej dy golave të shënuar e 11 të pranuar.

Kur heronjtë arritën në ora 3 të mëngjesit në Bergamo, ata u pritën nga rreth 2000 adhurues. Pati festë të madhe në qytet.

Edhe nëpër gazeta u festua suksesi i Atalantas autsajdere.

“Ku milionat nuk mjaftojnë, fitojnë idetë”, kishte shkruar “Corriere dello Sport”.

“Nata e mrekullisë”, ishte një titull tjetër.

Kryebashkiaku i Bergamos, Giorgio Gori shkroi në Facebook: “Mendojnë se përrallat nuk kanë vend në botën reale, por futbolli na mundëson ato nganjëherë. Është historike!”

Një mrekulli? Një përrallë?

“Ndoshta për të gjithë tjerët është ashtu, por për ne lojtarët jo. Kurrë nuk kam stërvitur aq fortë. Ka stërvitje ku vrapojë më tepër se tetë kilometra”, ka rrëfyer Gjimshiti për gazetën zvicerane “Blick”.

Trajneri Gian Piero Gasperini njihet si një mjeshtër në taktikë. Me një formacion 3-4-2-1 futbollistët e Atalantas i bëjnë presion kundërshtarëve në gjysmën e tyre të fushës. Kështu është mposhtur Milani 5:0 këtë stinor, e Torino 7:0. Atalanta po dhuron spektakël. Asnjë skuadër në Serie A nuk ka shënuar më tepër gola këtë stinor. Ka realizuar 63 në 24 ndeshje.

“Një lojë me presing siç aplikojmë ne nuk aplikon asnjë klub tjetër në Serie A”, ka deklaruar Gjimshiti.

Kur Gjimshiti iu bashkua Atalantas në janar të vitit 2016, nuk kishte asnjë sinjal se ai do të bëhej i rëndësishëm te klubi italian. Atalanta në atë kohë ishte një klub që endej nëpër Serie A e Serie B. E mbrojtësi shqiptar Gjimshiti në atë kohë erdhi si lojtar i lirë, pasi u lirua nga Zuerichu. Trajneri i Zuerichut, Sami Hyppia e kishte larguar nga skuadra atëbotë.

“Sigurisht se isha i dëshpëruar që te Zuerichu nuk më donin më. Por, trajneri kishte ndjenjën se nuk po jap çdo gjë nga vetja”, ka thënë Gjimshiti.

Ai nuk dëshiron të flasë shumë për largimin e tij nga Zuerichu.

“Në atë kohë kisha disa ndeshje të dobëta. Por, ndoshta ishte edhe koha për diçka të re”, ka thënë Gjimshiti.

Por, ai që mendon se ishte dashuri në shikim të parë mes Gjimshitit e Atalantas, gabon rëndë. Kur trajneri Gasperini mori drejtimin e klubit në verën e vitit 2016, ai e huazoi Gjimshitin te Avellino në Serie B. Në stinorin tjetër Gjimshiti u huazua te Benevento.

Në verën e vitit 2018 dukej se aventura e Gjimshitit te Atalanta ka mbaruar.

“Më u tha se mund të largohem nga klubi. Më pas e mbajta veten në formë i vetëm në Zuerich, ndërsa agjenti im po negocionte me klube italiane. Madje pata edhe një ofertë nga Rusia”, ka rrëfyer Gjimshiti, për gazetën “Blick”.

Por, kur në përgatitje u lëndua një mbrojtës i Atalantas, ndryshuan gjërat. Reprezentuesi i Shqipërisë, Gjimshiti u ftua nga Atalanta. Që nga atëherë është startues te Atalanta dhe vlera e tij në treg është rritur në afro 10 milionë euro.

Atalanta sonte e pret Valencian në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Ndeshja luhet në “San Siro” të Milanos, pasi që Atalanta nuk ka stadium që plotëson kriteret e UEFA-s.

Gjimshiti ka shprehur optimizmin para ndeshjes.

“Valencia sigurisht se ka skuadër të fortë, por shorti ka mundur të jetë dukshëm më keq”, ka thënë Gjimshiti, duke aloduar se ka mundur të binte në short të përballej me Liverpoolin, Barcelonan, Bayern Muenchenin apo Real Madridin. “Ne nuk duhet të fshihemi nga Valencia. Ne jemi në një seri, për ne çdo gjë është e mundur”.