SPORT

Gjilani licencohet nga FFK-ja

Gjilanasit i kanë plotësuar kriteret dhe janë licencuar për herë të tretë, ndërsa sivjet synojnë të marrin pjesë në garat që i organizon UEFA për herë të parë në histori të tyre

Klubi i futbollit Gjilani është gati për Evropë.

Klubi “Vjollcë” e ka marrë sot njoftimin nga departamenti i licencimit të klubeve në Federatën e Futbollit të Kosovës se i ka plotësuar kushtet për licencim, respektivisht për pjesëmarrje në garat e organizuara nga institucioni më i lartë evropian i futbollit – UEFA për sezonin 2020/2021.

Gjilanasit synojnë të luajnë në garat evropiane sezonin e ardhshëm, ndërsa aktualisht gjenden në vendin e tretë të IPKO Superligës.

Siç dihet, kampioni i Kosovës merr pjesë në Ligën e Kampionëve dhe nënkampioni e fituesi i Digitalb Kupës në Ligën e Evropës.

Kjo nuk është hera e parë që gjilanasit licencohen për gara evropiane, por ata synojnë që sivjet t’ia bëjnë “sefte” në Evropë.

“Klubi i Gjilanit ka marrur njoftimin nga Departamenti për licensimin e klubeve, se ka arritur kushtet për licensimin, për pjesëmarrje në garat e organizuara nga instituti europian për futboll, UEFA. Qysh nga pranimi i Federatës sonë në instancat më të larta të futbollit si ajo e UEFA-së dhe e FIFA-së, SC Gjilani është licencuar tanimë 3 herë për pjesëmarrje në garat evropiane në kualifikimet për në Europaligë dhe Ligën e Kampionëve”, njofton klubi gjilanas.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.