Kombëtare

Gjilan, qentë endacakë, një rrezik në derë të shtëpisë

Qentë endacak përbëjnë ende rrezik. Kjo gjë po vazhdon t’i shqetësojë qytetarët. Numri i madh që i tyre nëpër rrugë, sheshe e parqe, po vijon të paraqet problem të madh. Kuptohet, fëmijët janë më të rrezikuarit nga ta – shkruan Kosova.info

Valmira Arifi – Rrustemi nga Lëvizja Vatra tha për Kosova.info, që: “Qentë që shëtisin lirshëm në qytetin e Gjilanit përbëjnë shqetësim për shkak të rrezikut nga kafshimi i tyre. Por, po ashtu edhe nga rreziku i sëmundjeve që ka ata bartin tek njerëzit, sepse nuk besoj që janë të vaksinuar.”

Sipas disa të dhënave, numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga kafshimi i qeneve gjatë vitit të kaluar, ka qenë mjaft i madh.

 “Në Klinikën Infektive deri më 31.10.2019 janë trajtuar në mënyrë ambulantore 348 raste me diagnozën Vulnus morsum cani (kafshime nga qeni, zakonisht endacak e në raste të rralla edhe qeni i shtëpisë), ndërsa ka qenë vetëm një rast i spitalizuar i cili pas trajtimit është lëshuar në shtëpi”, citohet të ketë thënë – Lindita Ajazi – Berisha, U.D e Drejtorit të Klinikës Infektive në SHSKUK-së.

Por problemi ka mbetur i njëjti. Valmira Arifi – Rrustemi insiston që rreziku ndodhet në derë të shtëpisë. Qentë që shëtisin lirisht në grupe, janë bërë një pamje e zakonshme për qytetarët e Gjilanit. Ata i sheh kudo në çdo pjesë, e në çdo skutë. I sheh pranë semaforëve, në sheshe, në parqe, në oborre të shkollave, në oborr të spitalit, i sheh para policisë, para zyrës së kryetarit, në rrugë, në rrugica, madje edhe para derës së shtëpisë.

“Të rrezikuar janë veçanërisht fëmijët, ngase në vendet ku zakonisht ata luajnë, në lagje apo në parqe, qenët i ke aty me shumicë” – tha ndër të tjera Rrustemi, duke shtuar se:

“Pos fëmijëve, hiq më pak të rrezikuar, janë edhe të rriturit të cilët shkojnë herët në punë apo të cilët kthehen vonë prej pune. Nga prania e qeneve në oborr të spitalit rrezikohen edhe punëtorët shëndetësorë, pacientët apo ndihmësit e tyre që dalin për të blerë iliqe, vizitorët e kush jo. Madje edhe vetë policia, siç ishte rasti i një videoje të publikuar kur një kope qenesh, në orët e vona, në qendër të qytetit i turrej veturave ( civile dhe atyre të policisë). Infektologët vazhdimisht “na paralajmërojnë për sëmundjet e rrezikshme që vijnë si pasojë e kafshimit të qeneve, natyrisht, nëse së pari shpëtojmë gjallë, por prapë kurrfarë aksioni nga institucionet përkatëse. Dëgjojmë për sulme qenesh dhe vdekje të fëmijëve si pasojë e këtyre sulmeve gjithandej Kosovës, prapë institucionet rrinë duarkryq”, është shprehur Arifi – Rrustemi, ndërsa ka bërë thirrje nga kryetari i qytetit, “që të veprojë sa më shpejt në lidhje me këtë problem serioz.”

Sipas saj, rimobilizimi i institucioneve karshi këtij problemi, nuk është i lehtë “por edhe të qëndrojnë duarkryq është e papranueshme. A duhet njëherë që dikush ta pësojë e pastaj të veprojmë? A duhet të vidhet plaka e pastaj ti vihet shuli derës? Kërkoj nga institucionet kompetente që të ndërmarrin diçka e jo të lejojnë qenët të rrinë “këmbëkryq” ku të duan.”

Ashtu siç thotë Valmira Arifi – Rrustemi, nuk dihet nëse institucionet lokale kanë në plan të ndërmarrin diçka, që problemit t’i gjendet një zgjidhje./Kosova.com/

Shfaq më shumë
//cdrvrs.com/4/3473483